Republika e Kosoves

Lipjan

 

Manifestimi “Gjurmët e Gjeçovit 2024”

2024/10/08 - 3:59

Sot në qytezën e Janjevës, organizuar nga Komuna e Lipjanit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, është mbajtur orë letrare kushtuar Gjurmëve të Shtjefën Gjeçovit.
Nënkryetari i Komunës së Lipjanit, z. Diamant Bytyqi, theksoi se kontributi i Shtjefën Gjeçovit vjen përmes veprës “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, të cilën ai e kodifikoi duke mbledhur të drejtën zakonore shqiptare.
“Shtjefën Gjeçovi mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës dhe historisë shqiptare, përmes studimeve të tij në etnografi, drejtësi, histori dhe gjuhësi, ai ka lënë një trashëgimi të pasur intelektuale për brezat që vijnë, me veprën e tij të njohur ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit’, ai kodifikoi të drejtën zakonore shqiptare, duke luajtur një rol kyç në ruajtjen dhe dokumentimin e identitetit kombëtar,” tha nënkryetari Bytyqi.
Gjatë këtij organizimi, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, z. Prend Buzhala dhe z. Abdulla Troshupa, të cilët falënderuan Komunën e Lipjanit për këtë organizim të veçantë në nderim të veprës së Shtjefën Gjeçovit, njëherësh ata njoftuan se do të përgatisin një kumtesë për “Gjurmët e Gjeçovit”.
Organizimi i Gjurmëve të Gjeçovit është një nderim për kontributin e tij të pashoq dhe një përpjekje për të mbajtur gjallë vlerat e tij në memorien e të gjithë qytetarëve tanë.