Republika e Kosoves

Graçanicë

Popoviq përgëzoi bletarët për fitimin e medaljeve për cilësi

2020/10/09 - 1:16

Kryetari i komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq, bisedoi sot me bletarët e Shoqatës “Nektar”, fituesit e medaljes së artë për cilësinë e mjaltit. Me këtë rast, ai i përgëzoi ata për rezultatet e arritura.

Tre bletarë nga Shoqata e Bletarëve “Nektar” nga komuna e Graçanicës, Nenad Shubariq dhe Dejan Stanojeviq nga Gushterica e Poshtme dhe Bekim Jashari nga Graçanica janë fituesit e këtij viti të medaljes së madhe të artë për cilësinë e mjaltit në Panairin e Novi Sadit.

Së fundmi, në këtë panair u vlerësuan dhe u prezantuan disa qindra mostra mjalti dhe bletarët nga komuna e Graçanicës morën medalje dhe diploma për prodhimin e mjaltit livadh.

Sot, ata e njoftuan kryetarin e komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq, për rezultatet e arritura. Në të njëjtën kohë, ata falënderuan për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë nga qeverisja lokale përmes Drejtorisë Komunale të Bujqësisë.

Popoviq theksoi se bujqësia është një nga shtyllat e zhvillimit të qeverisjes lokale, kështu që ai do të vazhdojë ta mbështesë atë degë ekonomike.

Popoviq kujtoi se qeverisja lokale vuri në funksion Kooperativën bujqësore dhe se ajo ndihmoi bletarët me pajisjet më të nevojshme të bletarisë në disa raste.

Në territorin e komunës së Graçanicës tre shoqata të bletarisë janë aktive: Nektar, Nukleus dhe Bleta.