Republika e Kosoves

Graçanicë

Asamblistët e Kuvendit komunal miratuan raportin e punës së Komunës së Graçanicës për vitin 2018

2019/01/29 - 8:23

Mbledhja e parë e rregullt e Kuvendit Komunal të Graçanicës në vitin 2019, në të cilin asamblistët miratuan raportin e punës së Komunës së Graçanicës dhe drejtorive të saj në vitin paraprak, por edhe një numër propozimesh dhe vendimesh të tjera, u mbajt sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Graçanicës.

 

Mbledhja filloi me miratimin e rendit të ditës, të përcaktuar më parë në mbledhjen e parë të rregullt të Komitetit për Politikë dhe Financa, ku pastaj u miratua procesverbali i mbledhjes së katërt të jashtëzakonshme, të mbajtur më 18 dhjetor 2018.

Njëzëri u miratua raporti vjetor i punës së Komunës së Graçanicës, përkatësisht të drejtorive komunale për vitin 2018, i cili u prezantua nga kryetari i komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq. Ai tha se është më se i kënaqur me atë që është bërë dhe se të gjitha qëllimet dhe projektet e planifikuara janë arritur. Ai theksoi se ai dhe Komuna e Graçanicës do të vazhdojnë të punojnë në interes të qytetarëve.

“Qëllimi ynë është që ta sjellim komunën më afër qytetarëve tanë, të jemi shërbimi i tyre, të dëgjojmë për problemet e tyre dhe të përpiqemi t’i zgjidhim ato. Mbi 900 qytetarë kaluan nëpër Kabinetin e kryetarit të komunës dhe falë këtyre bisedimeve u zgjidhën mbi 300 probleme”, tha Popoviq.

“Familjeve të rrezikuara sociale dhe çifteve të reja ua kemi siguruar një çati mbi kokat e tyre në banesat në Llapnasellë. Në Gushtericën e Poshtme kemi ndërtuar tri ndërtesa, ndërsa në Llapnasellë gjashtë ndërtesa, katër prej tyre ndërtohen me mjetet e Komunës së Graçanicës, ndërsa dy të tjera falë memorandumit të nënshkruar, i ndërton Ministria e Administratës. Me këtë memorandum është rregulluar shtrati i lumit afër Qendrës tregtare në Graçanicë, në kuadër të  fazës së parë të urbanizimit, i cili do të jetë prioritet në vitin 2019. Janë ndërtuar tri shtëpi në të cilat janë strehuar familjet më të rrezikuara, ndërsa një numër i madh i familjeve kanë përfituar materiale ndërtimore për rinovimin e hapësirave banesore”, tha kryetari Popoviq.

Njeriu i parë i komunës së Graçanicës tha se në territorin e pushtetit lokal gjatë vitit të kaluar është zbatuar një numër i madh i projekteve infrastrukturore.

“Graçanica e fitoi një rrugë të re primare, u ndërtua rruga nga Batusha  deri te Vragollia, u rindërtua tërësisht pjesa e rrugës nga Livagja deri te autostrada Prishtinë – Shkup, u ndërtuan urat e reja në Dobrotin, të cilat u shkatërruan për shkak të përmbytjes që goditi këtë fshat. U shtrua rruga drejt varrezës së re në Graçanicë, janë asfaltuar rrugët e shumta në pothuajse të gjitha vendet në komunën e Graçanicës. Shërbimet publike ishin në kulmin e detyrës. Ata pastruan rregullisht rrugët dhe janë kujdesur për rrugët gjatë periudhës së dimrit dhe i zgjodhën problemet komunale”.

Popoviq tha se një nga prioritetet do të jetë zhvillimi i bujqësisë.

“Falë Memorandumit të nënshkruar me BE-në, është pajisur me mekanizëm Kooperativa bujqësore, e cila është vendosur përsëri në funksion”.

Sipas Popoviqit, investime të mëdha u bënë në arsim dhe shëndetësi.

“Në fillim të vitit 2018, Komuna e Graçanicës me dru zjarri i siguroi të gjitha shkollat dhe arriti të sigurojë pajisje sportive. Një nga projektet më të mëdha që ne kemi qenë në gjendje për të përfunduar vitin e kaluar, është kopshti i ri në Uglar, rikonstruktimi i shkollës në Batushë, Gushtericën e Poshtme dhe të Epërme, në Llapnasellë është përfunduar salla e edukatës fizike, ndërsa një ballon-sallë te re e përfitoi Gushterica e Pshtme, në Gushtericën e Epërme u ndërtua institucioni parashkollor dhe në Llapnasellë u rindërtua Shtëpia e kulturës. Në Llapnasellë është duke u ndërtuar Qendra e shkollave të mesme, me sipërfaqe bruto prej 8.000 metra katrore. Ne e hapëm sallën e madhe sportive në Llapnasellë dhe do të përpiqemi tꞌi punësojmë në qendrën sportive punëtorë të rinj”.

“Sa i përket shëndetësisë, kemi pasur një projekt të madh kapital, pra digjitalizimin e Kabinetit të Radiologjisë, përveç kësaj, me pajisje laboratorike e kemi pajisur me institucionet shëndetësore, janë siguruar reagenset dhe materiali shpenzues mjekësor”, tha Popoviq duke prezantuar raportin e punës së Komunës së Graçanicës dhe drejtorive komunale.

Asamblistët e Kuvendit Komunal të Graçanicës menjëherë pas prezantimit të raportit patën mundësi tꞌi bëjnë pyetje kryetarit Popoviq. Edhe përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës e vlerësuan raportin e punës, të cilët pas diskutimit e miratuan atë në mënyrë unanime.

Asamblistët Zorica Nedeljkoviq dhe Ratko Pereniq thanë se Komuna e Graçanicës në punën e saj të ardhshme duhet t’i kushtojë vëmendje rinisë dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Kryetari i komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq, theksoi se në të ardhmen fokusi më i madh do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës dhe tërheqja e investitorëve dhe pret rezultatet e para në këtë vit. Sipas Popoviqit, në këtë vit do të hapet një qendër rinore në Graçanicë, e cila do të merret me çështjet e të rinjve.

Asamblistja e SLS-së, Millena Zdravkoviq, tha se një nga prioritetet e Komunës së Graçanicës duhet të jetë  funkcionimi i transportit urban dhe zgjidhja e problemeve komunale. Kryetari Popoviq tha se Komuna e Graçanicës e ka filluar procesin e formimit të një ndërmarrjeje komunale, brenda së cilës duhet të funksionojë edhe linja e transportit urban.

Me raportin e punës së Komunës së Graçanicës ishte gjithashtu i kënaqur asamblisti i opozitës, Vidak Ristoviq.

“I nderuar z. Popoviq, me ardhjen tuaj në pozitën e kryetarit të komunës, isha pak në dyshime se nuk do të jeni në gjendje të përballeni me detyrimet dhe problemet. Por, ju këtë e demantuat. Do tꞌju drejtohem me zhargon sportiv, trajneri ka ndryshuar dhe ekipi filloi të luajë. Në këtë vit, ju keni krijuar një sistem, ju keni vënë ekipin në një mënyrë të koordinuar dhe të mirë të punës dhe ne të gjithë e vërejnë këtë në terren. Duke analizuar vitin tuaj të suksesshëm, mendoj se komuna është shndërruar në një servis të vërtetë për qytetarët dhe vazhdoni ta bëni këtë”, tha Ristoviq.

“Komuna e Graçanicës do të përpiqet të vazhdojë me këtë ritëm. I falënderoj të gjithë për bashkëpunimin konstruktiv dhe shpresoj që do të vazhdohet edhe më tutje. Nëse jemi unik, besoj se do t’i arrijmë qëllimet tona”, përfundoi kryetari i komunës së Graçanicës, duke iu përgjigjur pyetjeve të asamblistëve të Kuvendit Komunal të Graçanicës.

Në vazhdim të mbledhjes u miratua Rregullorja për transparencën e Komunës së Graçanicës, ku pas kësaj u miratua edhe Plani i veprimit për transparencën për 2019-2022.

Me propozimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Graçanicës, Lubisha Karaxhiq, u miratuan ndryshimet në Rregulloren e Punës të Kuvendit Komunal të Graçanicës. Pastaj me radhë janë miratuar raportet vjetore të punës për vitin 2018 dhe atë të Komitetit për Politikë dhe Financa,  Kuvendit Komunal të Graçanicës dhe të Komiteti për Komunitete.

Asamblistët e Kuvendit miratuan kërkesën e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit për lirimin nga pagesa e tatimit mbi transferimin e të drejtave absolute për pesë parcela.

Në mbledhjen e Kuvendit komunal, u miratua Rregullorja nr.03/18/KG për kushtet e Përgjithshme mbi parcelimin, rregullat dhe procedurën për ndërtimin e objekteve dhe lëshimin e kushteve ndërtimore për ndërtesat nën kompetencë të komunës.