Republika e Kosoves

Graçanicë

Kryetari Popoviq dhe ministri Rikallo pyllëzuan Graçanicën dhe pas kësaj biseduan me fermerët

2018/10/11 - 8:17

Gjithsej 42.000 fidanë të pishës së zezë dhe të bardhë do të mbillen gjatë muajit të ardhshëm në 15 hektarë të tokës në loakcionin në mes të Graçanicës dhe Badovcit të Ri. Fidanët e para të këtij lloji të druri u mbollën nga kryetari i komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural të Qeverisë së Kosovës, Nenad Rikallo.

 

Qëllimi i mbjelljes së drurit halor është rritja e pyllëzimit të komunës së Graçanicës, por edhe të vetëdijës së qytetarëve mbi rëndësinë e pyjeve, si dhe që çdo individ duhet të marrë pjesë në ruajtjen e mjedisit.

Sipas kryetarit të komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq, ky nuk është i vetmi vend që do të pyllëzohet.

“Kemi edhe disa vende në komunën e Graçanicës që janë pa drunj dhe që kanë nevojë për pyllëzim. Gjatë muajve të ardhshëm do të mbillen 42.000 fidanë të pishës në 15 hektarë të tokës. Kjo është faza e parë e pyllëzimit dhe është shumë e rëndësishme që Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë planifikon që në periudhën e ardhshme të vazhdojë me veprime të tilla. Kjo është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit dhe përveç kësaj vendi do të zbukurohet”, tha Popoviq.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, theksoi se sot filloi aksioni i investimit për të ardhmën dhe një mjedis të shëndetshëm.

“Pylltaria është lënë pas dore dhe me këtë veprim ne këtë po e ndryshojmë. Është planifikuar që në vitin 2019 në komunën e Graçanicës të mbjellim shumë hektarë me këto fidanë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të gjitha pyjet që i kemi tani tꞌi ruajmë, ta rrisim përqindjen nën pyje, sepse përveç efekteve biologjike dhe jetësore, ato kanë edhe efekt ekonomik. Vendi i zhveshur, i cili mund të shihet në këto lokacione, është krijuar sepse njeriu e shkatërroi pyllin, ndërsa ne për 15, 20 vite do ta kemi këtu një pyll shumë të bukur dhe të dendur që do ta karakterizojë këtë komunë”, tha Rikallo.

Popoviq dhe Rikallo vizituan ekonominë familjare të Bojan Jevtiqit në Dobrotin

Kryetari i komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, vizituan ekonominë familjare të Bojan Jevtiqit nga Dobrotini, të cilit kohët e fundit iu është dhuruar një serrë.

Përveç Jevtiqit, serrët janë ndarë edhe për tri familje nga komuna e Graçanicës me qëllim të zhvillimit dhe nxitjes së zhvillimit të prodhimit bujqësor.

Me të njëjtin qëllim dhe në kuadër të mbështetjes për fermerët, kryetari Popoviq ua dorëzoi 13 multikultivatorë të njëjtit numër fermerësh në territorin e qeverisjes lokale pak ditë më parë në Kooperativën bujqësore në Gushtericën e Poshtme.

Investime më të mëdha në bujqësi

Pas vizitës së ekonomisë familjare të Jevtiqit në Dobrotin, kryetari i komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq dhe ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo, mbajtën një takim me fermerët nga territori i komunës së Graçanicës. Në Shtëpinë e kulturës në Gushtericën e Poshtme ata biseduan për problemet aktuale me të cilat ballafaqohen fermerët, si dhe për mundësitë e zgjidhjes së këtyre problemeve.

Kryetari i komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq, paralajmëroi investime më të mëdha në bujqësi, duke theksuar se hapi parë është vënia në funksion të Kooperativës bujqësore.

Ministri i Bujqësisë Nenad Rikallo njofoi për ndryshimet lidhur me pagesën e subvencioneve për prodhimin bujqësor.

“Kjo nënkupton që subvencionet do të ndahen, si për shembull, për kilogram të grurit të dorëzuar. Stacioni i licencuar i blerjes do të lëshojë një çertifikatë për sasinë e grurit në bazë të së cilës fermeri do të marrë një subvencion. Ata që punojnë mirë do të fitojnë më shumë, ata që nuk punojnë mirë do të marrin më pak. Mesatarja është diku rreth 3,500 kilogramë për hektar”, tha Rikallo.

Rreth njëqind fermerë patën mundësi të bëjnë pyetje dhe të japin sugjerime me qëllim të  zhvillimit të bujqësisë. Një nga propozimet kryesore ishte krijimi i një laboratori për testimin e tokës, si dhe thjeshtimi i procedurave për marrjen e granteve bujqësore, ndërsa ata që merrën me bletari kërkuan mbjelljen e bimëve mjaltëse.