Republika e Kosoves

Graçanicë

Kryetarja Shubariq i dorëzoi Urgjencës në Llapllasellë një autoambulancë të re

2025/01/15 - 9:16

Kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, në praninë e bashkëpunëtorëve komunalë dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, i dorëzoi Urgjencës në Llapllasellë një autoambulancë të re.

Shërbimi emergjent mjekësor në Llapllasellë është bërë më i pasur me një tjetër autoambulancë, të cilën e ka marrë falë donacionit të Komunës së Graçanicës, përkatësisht Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Automjetin sot ua ka prezantuar kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, në prani të bashkëpunëtorëve komunalë dhe të tjerë. Ajo theksoi se pushteti lokal ndihmon në vazhdimësi sistemin shëndetësor, me synim të përmirësimit të kushteve shëndetësore.

“Komuna e Graçanicës ka dhuruar një autoambulancë të re, një veturë me të gjitha pajisjet përcjellëse në një vlerë prej 65 mijë euro, e gjitha në bazë të nevojave të Shtëpisë së shëndetit në Graçanicë, në kuadër të së cilës funksionon edhe Urgjenca. Ky nuk është dhurimi i parë, ne gjithmonë bëjmë çdo përpjekje për t’i plotësuar nevojat e punonjësve tanë shëndetësorë dhe pacientëve, ndaj bëjmë edhe blerje në bazë të nevojave të tyre. Pra, ne vazhdimisht po e ndihmojmë sistemin shëndetësor, të gjitha me qëllim të përmirësimit të kujdesit shëndetësor”, tha Shubariq.

Kryetarja paralajmëroi edhe investime shtesë në vitin 2025.

“Në bashkëpunim me spitalin planifikojmë që në periudhën e ardhshme ta hapim Qendrën për dializë, e cila është shumë e rëndësishme për komunën tonë. Ne kemi blerë tashmë një pajisje, një osmozë për pastrimin e ujit, një pajisje që mund të ofrojë shërbim për dy pacientë në një turn dhe dy pacientë të tjerë në turnin e dytë, pra katër në ditë. Ne po planifikojmë të blejmë edhe dy pajisje të tjera këtë vit, gjë që tregon se ne vazhdimisht po ndihmojmë dhe investojmë në shëndetësi”, theksoi kryetarja Shubariq.

Drejtoresha e Shtëpisë së shëndetit të Graçanicës, dr. Mirjana Dimitrijeviq, shprehu mirënjohjen e saj për autoambulancën, e cila do të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve.

“Dua t’ju falënderoj për donacionin e vlefshëm, i cili ka një rëndësi të madhe për shërbimin tonë të Urgjencës, i cili nuk mund të funksionojë me kapacitet të plotë pa automjete të mira dhe cilësore, përkatësisht pa Parkun e automjeteve. Ne kemi një praktikë që çdo disa vite të marrim një veturë nga Komuna e Graçanicës, kështu që me donacionin e sotëm e kemi kompletuar Parkun tonë të automjeteve dhe për këtë arsye do të mund të ofrojmë shërbime shëndetësore dukshëm më të mira dhe cilësore”, tha dr. Dimitrijeviq.

Në dorëzimin e sotëm të autoambulancës në Shërbimin emergjent mjekësor në Llapllasellë, përveç përfaqësuesve të Komunës së Graçanicës, nënkryetarit të komunës Igor Aritonoviq dhe të tjerëve, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, kryetari i Listës dr. Zllatan Ellek, pastaj dr. Dragish Milloviq, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiq, si dhe të tjerë.