2024/11/15 - 1:54
Me mjetet e Bashkimit Evropian dhe Komunës së Graçanicës, sot në Qendrën e biznesit në Graçanicë u hap Qendra e angazhimit të komunitetit për gratë. Qendrën për gratë në Padallishtë sot e vizitoi kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof. dr. Ljiljana Shubariq me bashkëpunëtorët e saj.
Sot, Graçanica ka një vend ku gratë do të mblidhen në periudhën e ardhshme për t’u edukuar, shkëmbyer ide dhe kaluar kohën e lirë. Në periudhën e ardhshme do të organizohen 30 punëtori me tema të ndryshme, gjatë të cilave do të trajtohen tema jo vetëm për promovimin e biznesit të grave, por edhe për shëndetin riprodhues të tyre, dhunën në familje, edukimin e fëmijëve dhe dhunën tek të miturit, diskutimet verbale dhe shfaqjet publike, dixhitalizimin dhe marketingun, prodhimin e punimeve artizanale dhe shumë tema të tjera.
Kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof. dr. Ljiljana Shubariq, e vizitoi sot Qendrën e angazhimit të komunitetit për gratë me bashkëpunëtorët e saj. Gjatë vizitës, ajo tha se ky është një tregues tjetër se Komuna e Graçanicës, në mënyrë të pavarur por edhe me ndihmën e organizatave ndërkombëtare, vazhdon ta forcojë rolin e gruas në shoqëri.
“Qëllimi i projektit është ta mbështesë integrimin e grave, shtypjen e diskriminimit dhe pabarazisë, promovimin e barazisë në çështjet e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e grave. Qendra është konceptuar si një qendër dinamike e të mësuarit, reflektimit dhe angazhimit, që do të thotë se gratë do të jenë në gjendje të mblidhen këtu në një hapësirë të sigurtë për t’i paraqitur idetë, propozimet e tyre dhe për t’i shprehur temat që dëshirojnë t’i diskutojnë dhe e gjithë kjo në një hapësirë të sigurtë përmes llojeve të ndryshme të punëtorive dhe aktiviteteve sociale si dhe aktiviteteve të tjera. Duke pasur parasysh pozitën dhe rolin e gruas në shoqëri, besoj se ekzistenca e një qendre të këtillë në territorin e komunës sonë është shumë e rëndësishme, prandaj dua të them se qeverisja lokale mbetet e përkushtuar për përmirësimin e pozitës së grave”, tha kryetarja Shubariq.
Dafina Hoxha nga organizata ASB tha se Qendra është e dedikuar ekskluzivisht për gratë dhe është e hapur për çdo lloj aktiviteti që do të kontribuojë në përmirësimin e pozitës së gruas, informimin e tyre dhe forcimin e rolit të tyre në shoqëri.
“Gjatë projektit do të organizojmë gjithsej 30 punëtori gjatë të cilave do të diskutohen temat e propozuara nga gratë dhe organizatat joqeveritare të grave. Ne do t’i angazhojmë ekspertët të cilët do të punojnë me gratë për temat që i kemi paraparë. Në emër të organizatave tona e falënderoj Komunën e Graçanicës, veçanërisht kryetaren Ljiljana Shubariq dhe drejtorin Nebojsha Millovanoviq. Qendra do ta ketë koordinatorin e saj dhe besoj se do ta realizojmë me sukses projektin”, tha Hoxha.
Hapësira e destinuar për Qendrën është rinovuar tërësisht dhe është pajisur me inventar të ri. Ideja për këtë projekt është iniciuar nga Drejtoria Komunale e Zhvillimit Ekonomik, ndërsa implementimi është përkrahur nga Bashkimi Evropian. Realizues i projektit me vlerë 22 mijë euro, përveç Komunës së Graçanicës, është edhe Organizata gjermane ASB.