2024/11/27 - 8:56
Komuna e Graçanicës po proteston ashpër kundër vendimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) që edhe përkundër kërkesës sonë për shtyrje, nxjerrë në shitje më shumë se 20 parcela në pronësi të ish-ndërmarrjeve shoqërore në territorin e Komunës së Graçanicës.
Gjegjësisht, Komuna e Graçanicës ka pranuar më 30.09.2024 një shkresë nga AKP-ja e cila na informon për shitjen e 69-të të 24 parcelave kadastrale në gjashtë zona të ndryshme kadastrale në territorin e Komunës së Graçanicës përmes likuidimit.
Kryetarja e Komunës së Graçanicës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, përmes një shkrese të drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit më 10.10.2024 ka kërkuar nga Agjencia kohë shtesë në mënyrë që Komuna e Graçanicës të konstatojë ekzistimin e interesit të përgjithshëm publik në pronën në fjalë.
“Prandaj, nuk pajtohemi me synimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit që të inicojë këtë lloj shitje të aseteve të ish-ndërmarrjeve shoqërore pa konsultim paraprak të detajuar me Komunën e Graçanicës”, thuhet në shkresën e kryetares Shubariq të drejtuar AKP-së.
Udhëheqja e Komunës së Graçanicës dhe kryetarja prof.dr. Ljiljana Shubariq e konsiderojnë këtë vendim të agjencisë të papranueshëm, i cili ka për qëllim vazhdimin e presionit të mëtutjeshëm ndaj qeverisë sonë lokale përmes aplikimit të sistemit të arbitraritetit dhe autoritarizmit.
Një shoqëri demokratike multietnike në të cilën dialogu dhe kompromisi janë baza e qeverisjes së mirë dhe të gjitha institucionet janë përfaqësues dhe mbrojtës të popullit, lirive, pronës dhe jetës së tyre, edhe kësaj radhe u dëshmua si model i cili nuk vlen kur bëhet fjalë për serbët.
Pavarësisht të gjitha presioneve ndaj të cilave jemi të ekspozuar çdo ditë, ne nuk do të heqim dorë nga synimi ynë për t´i përdorur mjetet demokratike dhe ligjore për të luftuar për atë që na takon si popull që kemi mbijetuar këtu me shekuj.
Në fund, besojmë se bashkësia ndërkombëtare, duke i mbyllur sytë ndaj represionit institucional gjithnjë në rritje ndaj nesh, po tregon ose pafuqinë ose bashkëfajësinë e saj në këtë gjë.