Republika e Kosoves

Graçanicë

Popoviq bëri thirrje për respektimin e Ligjit për zonat e mbrojtura

2018/06/06 - 3:23

Kryetari i komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq, bëri thirrrje për respektimin e Ligjit për zonat e mbrojtura dhe mbrojtjen e trashëgimisë botërore kulturore në tribunën për trashëgiminë kulturore.

 

Në Shtëpinë e kulturës në Graçanicë u mbajt tribuna mbi trashëgiminë kulturore “Zonat e mbrojtura, cenueshmëria dhe mbijetesa”. Pas tribunës është shfaqur filmi dokumentar “Kosova, momenti në civilizëm” të Boris Mallagurskit.

Në tribunë mori pjesë edhe kryetari i komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq, i cili i bën thirrje institucioneve të Kosovës që t’i respektojnë, ndërsa bashkësinë ndërkombëtare t’i detyrojë ata në respektimin e Ligjit për zonat e mbrojtura.

„Ne përballemi me mosrespektimin e trashëgimisë kulturore dhe historisë sonë. Ne si serbë nuk kemi të drejtë të heqim dorë nga trashëgimia jonë kulturore dhe të gjithë këtë duhet ta dinë. Shumë kohë më parë janë shkruar faqet për Deçanin, Graçanicën, Patriarkatin e Pejës dhe për shumë manastirë dhe kisha të tjera. Për këtë arsye ne u mërzitëm nga ndërtimi i një rruge në afërsi të manastirit të Deçanit”, tha Popoviq.

“Autoritetet në Prishtinë duhet të mbledhin forcë dhe të pajtohen me faktin se në Kosovë ekziston trashëgimia kulturore serbe dhe se obligimi dhe përgjegjësia e tyre është që tꞌi shpjegojë popullit të vet se kjo nuk paraqet ndonjë kërcënim dhe se ata me Ligjin për zonat e mbrojtura janë zotuar që do ta mbrojnë trashëgiminë kulturore serbe”.

Popoviq theksoi se zona e veçantë e mbrojtur është ajo edhe rreth manastirit të Graçanicës.

„Rruga rajonale Prishtinë-Gjilan, e cila kalon afër manastirit, e cenon sigurinë dhe e rrezikon manastirin për shkak të dridhjeve të shkaktuara nga trafiku, përkatësisht nga kamionet mallrash, si dhe nga zhurma e cila nuk lejohet me Ligjin për zonat e mbrojtura. Një kohë të gjatë insistojmë në ndërtimin e një rruge anësore e cila do të mundësojë zhvendosjen e trafikut nga Graçanica, që rruga përpara manastirit të shtrohet me pllaka dhe të shndërrohet në një zonë për këmbësorë. Deri tani, nuk kemi hasur në një përgjigje pozitive nga Ministria që është përgjegjëse për këtë projekt edhe pse është dorëzuar i tërë drafti i planit. Ky është edhe një shembull tjetër i mosrespektimit të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore”, tha Popoviq.

Në sallën e mbushur me njerëz të Shtëpisë së kulturës, në tribunë foli edhe arkitektja konzervatore Svetllana Xhaxhiq, e cila gjithashtu theksoi rëndësinë e ndërtimit të rrugës anësore rreth Graçanicës për shkak të ruajtjes së zonës përreth manastirit, pastaj foli skenaristi i filmit “Kosova, momenti në civilizëm”, Millosh Ninkoviq dhe drejtori i Shtëpisë së kulturës në Graçanicë, Zhivojin Rakoçeviq.