Republika e Kosoves

Graçanicë

U mbajt mbledhja e katërt e rregullt e KK të Graçanicës

2024/04/29 - 12:12

Sot u mbajt mbledhja e katërt e rregullt e Kuvendit të Komunës së Graçanicës. Në mbledhjen e udhëhequr nga Millan Dimitrijeviq, u miratuan njëzëri raportet dhe propozimet e vendimeve.

Në mbledhje, fillimisht u miratua procesverbali nga mbledhja e tretë e rregullt e mbajtur më 29.03.2024 dhe më pas asamblistët diskutuan dhe miratuan raportin financiar tremujor për vitin 2024, të cilin në mbledhje e prezantoi drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Sllavisha Niçiq. Me propozim të drejtorit Niçiq u miratua edhe propozimi për rritjen e buxhetit nga të hyrat vetanake për vitin 2023.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Situata Emergjente, Vlladica Trajkoviq, e paraqiti në Kuvend raportin e punës së Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Situatave Emergjente për vitin 2023, i cili është miratuar njëzëri. Ai tha se përkundër sfidave të shumta, kjo drejtori ka arritur me sukses t’u përgjigjet kërkesave të banorëve dhe t’i kryejë obligimet e parapara në plan. Gjatë diskutimit, asamblistët parashtruan propozime për përmirësimin e aktiviteteve komunale në vende të caktuara, siç është rregullimi i rrugës për në varrezat ortodokse në Kishnicë dhe parandalimi i shkatërrimit të pronës publike, rrjeteve të kanalizimit në Lepinë, rrjetit të ujësjellësit në Batushë, si dhe domosdoshmëria për ta rindërtuar shpejt ndriçimin publik në seksione të caktuara të rëndësishme. Asamblistët e vlerësuan këtë drejtori komunale për reagimet e shpejta në situata emergjente si dhe për bashkëpunimin me asamblistëtv e KK të Graçanicës.

Shqyrtimi dhe miratimi i raportit për periudhën janar 2023 – dhjetor 2023 i Drejtorisë Komunale për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, si dhe i raportit të Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari për periudhën prej 30.05.2023 deri më 12.01.2023 dhe raporti për subvencione nga Drejtoria Komunale për Bujqësi u shty për mbledhjen e ardhshme.

Mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Graçanicës i ka paraprirë mbledhja e katërt e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa.