2025/01/14 - 10:53
Me koncertin e këngëtares Sanja Vuçiq dhe fishekzjarre në mesnatë, banorët e Graçanicës dhe rrethinës e kanë pritur Vitin e Ri sipas kalendarit Julian.
Moti i ftohtë nuk ka penguar një numër të madh të banorëve që ta mbushin sheshin para ndërtesës së Komunës së Graçanicës për t’i shijuar hitet e njërës prej këngëtareve aktualisht më të njohura të skenës lokale, Sanja Vuçiq. Ata thanë se u pëlqeu performanca e saj me shumë prej hiteve të saj dhe të tjera.
“Sinqerisht jam shumë e gëzuar dhe e nderuar që jam këtu sonte. Kam ardhur sot, por kam arritur edhe të shëtis pak dhe mund të them se jam shumë e emocionuar. Do të bëjmë një festë të mirë për tu ngrohur sepse bën shumë ftohtë”, ka thënë Sanja dhe i ka uruar të gjithëve një Vit të Ri të mbarë dhe të suksesshëm.
Për ta luftuar të ftohtin, organizatorët e natës së Vitit të Ri sipas kalendarit Julian, të njohur edhe si ortodoks apo serb, u shërbenin qytetarëve tradicionalisht mish viçi të pjekur në skarë, verë dhe raki të zier. Pikërisht në mesnatë, Viti i Ri është pritur me fishekzjarre nga ndërtesa e Komunës së Graçanicës.
“Po kënaqemi me Sanjën, gjithçka është ashtu siç duhet. Të gjithëve ju uroj paqe, lumturi dhe shëndet”, tha një banor i Graçanicës.
“Është ftohtë, por atmosfera është e mrekullueshme, po ngrohemi me verë. Duam vetëm paqe dhe shëndet”, tha një tjetër banor.
Vitin e Ri së bashku me qytetarët e priti jashtë, në sheshin para objektit të Komunës së Graçanicës, kryetarja e komunës, prof.dr. Ljiljana Shubariq, së bashku me bashkëpunëtorët e saj.
“Sonte e mirëpresim Vitin e Ri Ortodoks me bashkëqytetarët me një shërbim tradicional, duke shijuar kaun e pjekur, verën, rakinë, muzikën e mirë. Atmosfera është e mrekullueshme, njerëzit janë të gëzuar, shkurtimisht, është një mbrëmje e mrekullueshme në Graçanicën tonë. Kështu festohet Viti i Ri Ortodoks në Graçanicë prej vitesh. Festat si kjo janë ato që na bashkojnë të gjithëve dhe na japin forcën për të mbijetuar këtu. Fjollat e borës japin një bukuri të veçantë. Të gjithëve që e festojnë Vitin e Ri sot, u uroj që viti 2025 të na sjellë të gjithëve paqe dhe shumë dashuri, të sjellë përparim dhe prosperitet dhe sigurisht, u uroj të gjithëve shëndet të mirë”, tha kryetarja Shubariq.
Organizatorë të natës së ndërrimit të viteve ishin Komuna e Graçanicës, OJQ “Iniciativa rinore e Graçanicës” dhe Organizata turistike e Graçanicës.