2019/02/13 - 1:48
Shtime më, 13.02.2019 – Kryetari i Komunës së Shtimes, z.Naim Ismajli ka marrë pjesë në përurimin e kabinetit të ri të informatikës në Gjimnazin “Naim Frashëri” në Shtime.
Fillimisht drejtori i Shkollës, z. Rexhep Hasani përshëndeti të pranishmit, falenderoi popullin dhe KFOR-in Turk për investimet e bëra, gjithashtu ka potencuar se kjo infrastrukturë e re do të ndikoj në përmirësimin e kushteve për ngritjen e cilësisë në arsim dhe mësimnxënie.
Kryetari i Komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli e vlerëson këtë donacion të KFOR-it për kabinetin e informatikës, për të cilin kontribut e shpërbleu me mirënjohje Kolonelin Numan Bas.
Kryetari Ismajli mbajti një fjalë rasti, ku tha : “Sot jemi mbledhur këtu në Gjimnazin “Naim Frashëri” për të përuruar një projekt shumë të rëndësishëm për nxënësit dhe mësimdhënësit tanë. Inovacioni dhe teknologjitë e inovacionit dhe komunikimit janë vendimtare dhe luajnë një rol kryesor për të transferuar cilësinë e arsimit. Çdo ditë e më shumë po arrijmë suksesshëm si në investimin infrastrukturor në shkollat tona dhe në të njëjtën kohë edhe në kuptimin e ngritjes së kualitetit. Përshëndes me këtë rast KFOR-in turk, kolonelin Numan Baş, si dhe e falenderoi në emër të Komunës së Shtimes, dhe jo vetëm për këtë projekt, por për bashkëpunimin e vazhdueshëm që kemi ne si institucion me KFOR-in”.
Drejtori i DKA-së, z. Mensur Neziri ndër të tjerash tha : “ Nga ky projekt do të përfitojnë të gjithë nxënësit e kësaj shkolle së bashku me mësimdhënësit. Mbetemi me shpresë që të arrijmë rezultate të kënaqshme në cilësinë e Arsimit. Programet dhe investime të tilla në arsim janë të mirëseardhura ju mundëson nxënësve dhe të rinjve të fitojnë aftësitë e duhura”,- deklaroi drejtori i DKA-së, Mensur Neziri.
Ndërsa në anën tjetër, Komandanti i KFOR-it TURK në Kosovë, Koloneli Numan Baş në fjalimin e tij ka thënë : Ky përurim që po e bëjmë sot dhe projektet e tilla edhe më shumë thellojnë bashkëpunimin tonë në mes dy shteteve. Sot jemi të nderuar që po kontribuojmë duke realizuar këtë projekt në Gjimnazin e komunës suaj. Kosova dhe Turqia janë dy kombe mike dhe çdo herë do të mbështesim projektet për një bashkëpunim sa më të mirë”.