Dr. QEMAJL ALIU
Qemajl Aliu u lind më 19 shkurt 1983 në Shtime. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje. Në vitin 2008 u diplomua si mjek i përgjithshëm në Universitetin e Tiranës. Në prill të vitit 2015 mbaroi specializimin në Universitetin e Tiranës, Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, ku e mori titullin Specialist i mjekësisë interne. Ka punuar për rreth dy vite si mjek i përgjithshëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familare “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime si dhe në Spitalin Rajonal të Ferizajt. Në kuadër të zhvillimit profesional, ka ndjekur trajnime të specializuara brenda dhe jashtë vendit në fushën e mjekësisë interne dhe kardiologjisë, si dhe ka punuar për më shume se dy vite si specialist i mjekësisë interne në disa nga klinikat e mirënjohura në Gjermani. Gjatë katër viteve të fundit ai ka qënë i punësuar si specialist i mjekësisë interne në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Është aktivist në Lëvizjen Vetëvendosje që nga viti 2006. Qemajl Aliu është një nga themeluesit dhe bashkëudhëheqës i Komitetit të Shëndetësisë në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje që prej fillimeve të saj dhe anëtar i rregullt në vazhdimësi. Në vitin 2010 themeloi Qëndrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime, ku shërbeu edhe si kryetar i kësaj qendre dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Drejtues në atë periudhë. Ai ishte po ashtu kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2010 dhe 2019. Në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale për kryetar, të mbajtura më 14 nëntor 2021, kryetar është zgjedhur Qemajl Aliu, i cili është certifikuar më 23 nëntor. Pozitën e kryetarit e mori më 1 dhjetor 2021. Qemajl Aliu është i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
PËRGJEGJËSITË
Kryetari i Komunës është udhëheqës i degës së Ekzekutivit të Komunës dhe zgjidhet drejtpërdrejt nga banorët që kanë të drejtë vote në Komunë, në përputhje me Ligjin mbi zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës.
Kryetari i Komunës zgjidhet për një mandat 4 (katër) vjeçar.
Me kërkesë të Kryetarit, Nënkryetari i Komunës e ndihmon Kryetarin në ushtrimin e funksioneve të veta ekzekutive dhe vepron në emër të Kryetarit në mungesë të tij.
Kryetari i Komunës, në pajtim me dispozitat e Ligjit dhe Statutit të Komunës, ushtron përgjegjësitë e përcaktuara si vijon:
Përfaqëson Komunën dhe vepron në emër të saj;
Udhëheq Ekzekutivin e Komunës dhe Administratën e saj dhe mbikëqyrë administrimin financiar të Komunës;
Ekzekuton aktet juridike të Kuvendit të Komunës;
Emëron dhe shkarkon Nënkryetarin e Komunës dhe ia propozon Kuvendit të Komunës kandidatin për Nënkryetar të Komunës për komunitete;
Nxjerr urdhëresa dhe vendime brenda fushës së kompetencave të tij;
Thërret dhe kryeson mbledhjet e Bordit të Drejtorëve dhe është përgjegjës për mbarëvajtjen e punës së tij;
Emëron dhe shkarkon drejtorët e drejtorive komunale;
Shpall, rekruton dhe e largon Udhëheqësin e Personelit, në pajtim me Ligjin e aplikueshëm për Shërbimin Civil;
Paraqet propozim-buxhetin për miratim pas mbajtjes së konsultimeve të nevojshme në Kuvendin e Komunës dhe është përgjegjës i drejtpërdrejt për zbatimin e tij në pajtim me procedurat ligjore;
Raporton para Kuvendit të Komunës për situatën ekonomike – financiare të Komunës dhe për zbatimin e planeve investuese të Komunës, së paku një herë në 6 (gjashtë) muaj apo kurdo herë që kërkohet nga Kuvendi i Komunës;
Emëron dhe shkarkon këshilltarët e tij, të cilët i ndihmojnë në kryerjen e detyrave;
Organizon punën dhe drejton politikën e Komunës;
Propozon akte, vendime dhe rregullore komunale, të cilat i miraton Kuvendi i Komunës;
Kujdeset për zbatimin e legjislacionit që ka të bëjë me përgjegjësitë e Komunës;
I propozon Kuvendit të Komunës ndryshime në lidhje me funksionin dhe numrin e drejtorëve apo drejtorive dhe funksionet e tyre në pajtim me Ligjin dhe këtë Statut;
I propozon Kuvendit konstituimin, organizimin dhe mënyrën e punës së organeve komunale, si dhe krijimin e institucioneve dhe ndërmarrjeve;
E bënë caktimin apo ndarjen dhe koordinimin e përkohshëm të punëve dhe përgjegjësive në mes të drejtorive sipas nevojës, duke pasur për bazë lëmin apo projektin e caktuar;
Kujdeset për realizimin e publicitetit të punës së Kuvendit në raport me institucionet qendrore të Republikës së Kosovës dhe komunat e tjera;
Nënshkruan të gjitha aktet e miratuara nga Kuvendi i Komunës;
Bartë përgjegjësitë tek anëtarët e Bordit të Drejtoreve dhe mbikëqyrë zbatimin e përgjegjësive të bartura;
Propozon projekte për zhvillimin komunal, planet rregullative dhe investuese dhe projekte tjera sipas nevojës;
Mund të kërkojë nga Kuvendi i Komunës që ta shqyrtojë një akt komunal para hyrjes në fuqi, kur konsideron se akti në fjalë e cenon legjislacionin në fuqi apo interesin e komuniteteve;
Konsultohet me Nënkryetarin për komunitete për çështjet që kanë të bëjnë më komunitetet jo shumicë në Komunë;
Në marrëveshje me Kryesuesin e Kuvendit të Komunës e cakton rendin e ditës për mbledhjen e Kuvendit dhe merr pjesë aktive në mbledhjet e Kuvendit, Komitetit për Politikë dhe Financa dhe në mbledhjet e komiteteve dhe komisioneve tjera;
Kujdeset për zbatimin e Statutit dhe Rregullores së punës;
Ushtron edhe kompetenca të tjera të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite Kuvendit të Komunës apo komiteteve të tij.