Republika e Kosoves

Shtime

Qyteti

Mirë se vini në Shtime

Kryetari: Qemajl Aliu (LVV)

Popullsia: 27.324 banorë

Dendësia: 203.91/km²

Sipërfaqja: 134 km²

Kodi Postal: 72000

Prefiksi: +383 0290

Tabelat e automjeteve: 05

 

KOMUNA E SHTIMES DHE POPULLSIA E SAJ

 

Komuna e Shtimes gjendet në skajin perëndimor të Rrafshit të Kosovës dhe përfshin pjesën ndërmjet rrafshit të Kosovës dhe hapësirës malore të Carralevës, që shtrihet deri në Drenicë dhe bashkë me malet e Jezercit dhe të Nerodimes e ndajnë Rrafshin e Kosovës nga Rrafshi i Dukagjinit. Komuna e Shtimes ka një sipërfaqe prej 134 km2, gjegjësisht, 1,2 për qind të territorit të gjithmbarshëm të Republikës së Kosovës dhe kufizohet në juglindje me Komunën e Ferizajt, kurse në verilindje me Komunën e Lipjanit dhe në perëndim me Komunën e Suharekës. Komuna ka 23 vendbanime duke  përfshirë qytetin e Shtimes dhe 22 fshatra, prej të cilave 13 shtrihen në pjesën kodrinore-malore, ndërsa 9 prej tyre në pjesën rrafshinore. Qytetin e Shtimes e përshkon lumi më i rëndësishëm Shtimjanja, në të cilin, para hyrjes në Shtime, derdhen lumi Carraleva, Topilla dhe Mollopolci. Pellgu i këtij lumi ka një sipërfaqe prej 14 km2  dhe, prej burimeve të tij e deri te derdhja në lumin Sitnicë të Lipjanit, është i gjatë rreth 15 kilometra. Qyteti i Shtimes është 31 km larg nga kryeqyteti i Kosovës (Prishtina), 48 km nga Prizreni dhe 13 km nga Ferizaj. Gjithashtu largësia e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Sllatinë është 29 km. Pra, Komuna e Shtimes ka pozitë të përshtatshme gjeografike, ngase gjendet pikërisht në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme dhe efektive në relacionin Prizren – Prishtinë dhe Prizren – Shkup. Po ashtu kjo pizitë e volitshme gjeografike mundëson hyrje-dalje (në Duhël të Suharekës), në autostradën “Ibrahim Rugova” (20 km), kurse në dalje të Lipjanit lidhet me autostradën “Arbën Xhaferi” (16 km).

Pozita gjeografike e komunës së Shtimes me 1,2 për qind të sipërfaqës që përfshin territorin e gjithmbarshëm të Kosovës

Sipas regjistrimit të bërë në vitin 2011 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, është konstatuar se në komunën e Shtimes jetojnë 27 mijë e 324 banorë (13.850 meshkuj dhe 13.474 femra), me një dendësi të popullsisë 203.91 banorë/km² dhe moshë mesatare 27.62 vjeç. Nga këto shifra del se prej 34 komunave, në të cilat është bërë regjistrimi i popullsisë, Shtimja është komuna e njëzet e katërt me radhë për ka numri i banorëve. Komuna e Shtimes është hapësirë gjeografike, ku 96.79 për qind të popullsisë e përbëjnë shqiptarë, 2.74 për qind ashkali dhe 0.46 për qind grupe tjera etnike (minoritare).

Banorët e komunës së Shtimes sipas përkatësisë etnike