2019/06/12 - 12:57
Shtime, 12 qershor 2019 – Me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të komunës së Shtimes, kanë nisur aktivitetet për shënimin e kësaj dite të rëndësishme duke filluar me një seancë solemne të Kuvendit të Komunës së Shtimes.
Kryesuesja e Kuvendit, Medina Brahaj, në hapje të kësaj mbledhje festive, i përshëndeti dhe uroi 20-Vjetorin – Ditën e Çlirimit të Komunës së Shtimes, asamblistëve, anëtarëve të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, veteranëve të UÇK-së dhe gjithë të pranishmëve. Ndërkaq, në vazhdim fjalën e mori, kryetari i Komunës, Naim Ismajli, i cili tha: “Sot njëzet vite pas, po festojmë ditën më të rëndësishme, e cila bëri kthesë në historinë e Kosovës. Kjo është dita ku përfundon robëria e qytetarëve të Kosovës dhe dita ku agoi lira për gjithë qytetarët tanë. Sigurisht që para nesh, në këto momente kemi kujtime shumë të përziara, të cilat padyshim na kujtojnë një përfundim të një periudhe të luftës së pabarabartë mes popullit që donte lirinë, e përfaqësuar nga UÇK-ja dhe regjimit ushtarak e policor serb, i cili tmerroi jo vetëm Kosovën por gjithë botën me një luftë, ku historia e fundit nuk njihte. Ishte luftë e pabarabartë në të dyja kuptimet, e pabarabartë në kuptimin e forcave-teknikës. Kuptohet një makineri e tërë shumë e avancuar karshi një pjese të armëve shumë të thjeshta të UÇK-së. Por ishte e pabarabartë në kuptim tjetër se motivi, vullneti dhe dëshira për të luftuar në anën e UÇK-së ishte shumëfish më e madh karshi një ushtrie, e cila ishte pushtuese serbe dhe kjo bëri që në fund të rezultoi me çlirimin e Kosovës”, tha në mes tjerash kryetari Ismajli. Ai në përfundim të fjalimit të tij, uroi gjithë qytetarëve të komunës së Shtimes 12 Qershorin – Ditën e Çlirimit.
Ndërkaq, për historikun e triumfimit të UÇK-së në qytetin e Shtimes, foli ish-komandanti i Zonës Operative të Neredimes, gjenerali Shukri Buja, i cili tha: “Sot kemi përvjetorin jubelar të çlirimit të komunës së Shtimes, i cili na kthen në ditët e rënda të luftës. Do të kujtoi betejën e ashpër para çlirimit të qytetit. Është një betejë që zgjati për 36 ditë, vetëm në territorin e përgjegjësisë së Komandës të Brigadës 161 “Ahmet Kaçiku”, të cilët u ndihmuan nga njësitet operative të Zonës. Ne kishim armatim të lehtë, nuk kishim mjaftueshëm municion dhe përdorëm strategji të vegjantë që të zgjasnim ditët duke pritur armatimin dhe municionin. Kjo strategji është zbatuar mjaftë me përpikëmëri. Disa ditë luftonim në vijën e parë të frontit për t’u tërhequr gjatë mbrëmjes në mënyrë që forcat serbe të humbnin edhe disa ditë të tjera duke granatuar e sulmuar pozicionet ku ne ishim aty. Kështu e zgjatëm për 36 ditë. Ishte përgjegjësi shumë e madhe sepse në territorin e Komandës së Zonës Operative të Nerodimes, gjegjësisht në territorin e komunës së Shtimes që nga themelimi i Qeverisë së Përkoshme të Kosovës (në fund të marsit 1999) me kryeministrin z. Hashim Thaçi, në kohën e luftës vepronte në komunën e Shtimes. Fillimisht, në kohën e ofenzivës ishte në Dremjak, për t’u tërhequr pastaj në Petrovë. Gati tre muaj ka funksionuar Qeveria e Përkoshme e Kosovës në këtë territor. Pas këtyre 36 ditëve, në ditën e 36, kur ne veç gati kishim përfunduar municionin, paramendojeni kishim mesatarisht 10 fishekë për ushtarë, ndërsa komandanti i Zonës (Shkukri Buja), i kishte 40 fishekë. Ardhja e Njësitit Furnizues nga Shkupi, që sot po kontestohen si veteranë ishte shpëtimi ynë. Kishim 89 të plagosur dhe ardhja e municionit dhe armatimit ishte gëzimi ynë. Ardhja e medikamenteve për 89 të plagosurit ishte shpëtimi tyre” , evokoi kujtime për atë periudhë të lavdishme komandanti i ZON të UÇK-së, gjeneral Shukri Buja.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë, familjarë të dëshmorëve, invalidë të luftës, veteranë të UÇK-së dhe qytetarë kanë vazhduar aktivitetet me vendosjen e buqetave me lule tek Varrezat e Dëshmorëve në Shtime dhe Mollopolc, pastaj në Kompleksin Përkujtimor në Reçak dhe në Rancë. Mandej, Orkestra Frymore “Çesk Zadeja” ka marshuar nga Sheshi i Dëshmorëve të UÇK-së në Shtime deri te Muzeu i Qytetit.
Në mesditë, është hapur Panairi i Prodhimeve Bujqësore në Sheshin “Ahmet Shtimja”, i cili është vizituar nga qindra qytetarë.
Për nder të Ditës së Çlirimit, në ora 18:00 do të mbahet një koncert kulturo-artistik në Sheshin “Ahmet Shtimja”.