Shtime, 27 gusht 2022 – Për maturantët të cilët nuk kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Shtime, ka organizuar sot Provimin e Maturës Shtetërore (afati i dytë).
Testimit në afatin e dytë iu nënshtruan 92 maturantë në një qendër të testimit, prej të cilëve 41 nxënës ishin të Gjimnazit “Naim Frashëri” dhe 51 nxënës të Shkollës së Mesme Profesionale në Shtime.
Në koordinim me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe me shkollat e mesme të larta, Divizioni për Standarde, Monitorim dhe Vlerësim, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë është sistemuar vetëm një nxënës, ndërkaq në çdo klasë janë lejuar më së shumti 12 maturantë.
Rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore nga Ministria e Arsimit pritet të shpallen më 7 shtator 2022.