Në 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut bëhen homazhe në Reçak, tek varrezat e Dëshmorëve në Shtime dhe në Mollopolc
2023/01/16 - 2:52
Shtime 15 janar 2023 – Në 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut, Kryetari i Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu, së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, presidenten, znj. Vjosa Osmani, Kryetarin e Kuvendit, z. Glauk Konjufca, ish shefin e Misionit Vëzhgues të OSBE, z. William Walker, familjarë të Dëshmorëve dhe Martirëve në Reçak dhe përfaqësues institucionesh nga niveli qendror e lokal, Bashkëluftëtarë, Invalidë dhe Veteranë të UÇK-së, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, banorë të fshatit Reçak dhe qytetarë të Komunës së Shtimes, bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh tek Kompleksi Përkujtimor në Reçak, në varrezat e Dëshmorëve në Shtime dhe në Mollopolc.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës, z. Qemajl Aliu tha se Masakra e Reçakut mbetet dëshmi e fortë e krimit kundër njerëzimit që po zhvillonte agresori serb mbi popullin e Kosovës dhe ndër faktorët vendimtar të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë.
“Falë punës sensibilizuese të ish-ambasadorit të OSBE-së, të nderuarit z.William Walker, lufta jonë për çlirimin e vendit mori kahje të re dhe përkrahje ndërkombëtare, për çka Reçaku, Shtimja dhe gjithë Kosova, i jemi përjetësisht mirënjohës.
Kjo plagë që bartim tani e 24 vjet edhe sot na rëndon e na shkakton dhembje, por duhet të gjejmë ngushëllimin te e vërteta se kjo humbje bëri kthesën historike për popullin shqiptar, duke ndryshuar rrjedhat e historisë sonë, duke i treguar botës se si duhet luftuar dhe si duhet vdekur për lirinë e vendit”, tha ai.