Republika e Kosoves

Shtime

MBAHET DËGJIMI PUBLIK PËR KONSERVIMIN DHE RESTAURIMIN E SHTËPISË NË KOMPLEKSIN MEMORIAL “MASAKRA E REÇAKUT”

2024/01/31 - 3:43

Shtime, 30 janar 2024 – Në sallën e Kuvendit të Komunës së Shtimes, u mbajt Dëgjimi Publik për Konservimin dhe Restaurimin e Shtëpisë në Kompleksin Memorial “Masakra e Reçakut”.
Gjatë këtij dëgjimi, Samir Bruçi, zyrtar i Lartë i Shpronësimit në MMPHI, bëri të ditura procedurat e shpronësimit të kësaj zone, ku sipas materies së vendimit është një pronë që ka sipërfaqe prej 10 ari e 5 metra, ku brenda kësaj parcele gjindet edhe një objekt.
Ndërsa, Adnan Elshani, nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, tha se vendimi është marrë që të shpronësohet kjo pronë ndërsa pronat tjera janë në procedurë të shpronësimit. “Pronat tjera nuk janë hequr nga procedurat e shpronësimit, ato janë në procedurë për shpronësim bashkë me pronat tjera”, tha Elshani.
Shqipe Zogu, nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, tha se sot janë duke biseduar vetëm për një pjesë të hapësirës. “I kemi dhënë prioritet kësaj pjese, por edhe pjesët tjera janë në procedurë të shpronësimit”, tha Zogu.
Qemajl Aliu, kryetar i komunës së Shtimes, tha se që nga marrja e mandatit janë duke u marr me këtë çështje. “Institucionet është dashtë të kenë vetëdije, që gjurmët e krimit që kanë qenë prezente gjithandej përrreth memorialit, të konzervohen dhe mos të mos shemben. I vetmi objekt që akoma i ka të ruajtura gjurmët e krimit është shtëpia e bacit Sadik, dhe kjo vetëm duke ju falënderuar familjarëve që ruajtën gjurmët”, tha Aliu, duke shtuar se Reçaku duhet të ndahet, pasi që dihet roli dhe kthesa e madhe historike e lirisë dhe shtetit që e gezojmë sot. “Ndarja e parcelës, që ka ndodh, nuk do të duhej të ndodhte, por ne do të kujdesemi që kjo të korrigjohet. Pas memorialit të Jasharajve, i dyti projekt nacional që e gëzon këtë status, që nga ky muaj është edhe Memoriali i Masakrës së Reçakut”, tha Aliu, duke shtuar se tashmë ky do të jetë projekt nacional.
Grejtalb Emini, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Shtimes, tha se që nga dita e parë e ardhjes në pushtet janë interesuar vazhdimisht për shtëpinë në fjalë për shkak të ndjeshmërisë që ka. “Shtëpia e bacit Sadik dhe ‘Kodra e Bebushit’ janë simboli i Masakrës së Reçakut, për të cilët, që 23 vite nuk është investuar asgjë”, tha Emini, duke shtuar se para vetës kanë një vendim për shpronësimin e vetëm të 10 ari pronë. “Idea nuk ka qenë që të ndahet shtëpia nga parcelat e tjera. Ministrisë së Planifikimit i kanë shkuar mbi 30 lëndë të shpronësimeve së bashku me lëndën e Reçakut. Ne kishim kërkesë që Masakra e Reçakut të ndahet nga lëndët e tjera që janë nga gjithë Kosova, e jo të ndahet shtëpia e bacit Sadik, jemi duke folur për diku 85 deri 90 ari ku përfshihet edhe shtëpia”, tha Emini.
Adem Ramadani, kryetar i fshatit Reçak tha se e gjithë zona kanë rëndësi shumë të madhe për historinë e Kosovës. “Historia që e njeh e tërë bota është ‘Kodra e Bebushit’ dhe shtëpia e bacit Sadik”, tha Ramadani.
Bekim Osmani, pronar i parcelës në fjalë, tha se që 25 vite janë në pritje që të bëhet diçka për këtë çështje, pasi që sipas tij ajo shtëpi, ato shkallë që janë ndërtuar aty afër, kodra dhe gjithë ajo pjesë kanë rëndësi shumë të veçantë për gjithë Kosovën.
Qeveria e Republikës së Kosovës këtë muaj ka miratuar vendimin, me të cilin aprovohet shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit: Konservimi dhe Restaurimi i Shtëpisë në Kompleksin Memorial “Masakra e Reçakut”, Zonën Kadastrale: Raçak, Komuna Shtime.
Gjatë këtij dëgjimi publik u bë edhe prezantimi i projektit për Konservimin dhe Restaurimin e Shtëpisë në Kompleksin Memorial “Masakra e Reçakut”.