Shtime, 26 mars 2024- Draft-Plani i Veprimit Kundër Braktisjes dhe Mosregjistrimit të Shkollës, ishte sot në konsultim publik me qytetarë, drejtorë të shkollave dhe zyrtarë tjerë komunal.
Objektiv kryesor i këtij draft plani u bë e ditur se është parandalimi dhe identifikimi i hershëm i nxënësve në rrezik të braktisjes dhe ofrimi i ndërhyrjeve të duhura për t’i mbështetur ata.
Ndërsa qëllim i këtij Draft-Plani sipas Yllka Fejzullahut, drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit në Shtime është koordinimi i veprimeve ndërinstitucionale dhe ngritjen e kapaciteteve në nivel lokal dhe shkollor në zbatim të detyrimeve ligjore për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes dhe mosregjistrimit të shkollës, duke rritur përfshirjen e fëmijëve në arsim dhe zvogëlimin e braktisjes.
Gjithashtu, nga zyrtarët komunal u bë e ditur se në Komunën e Shtimes, funksionojnë 7 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta dhe 2 shkolla të mesme të larta, dhe në nivelet e shkollimit 1,2 dhe 3 në vitin shkollor 2023-2024 vijojnë mësimin gjithsej 4512 nxënës duke mos përfshirë nivelin 0 (edukimin parafillor).