Republika e Kosoves

Shtime

Në Shtime mbahet akademi përkujtimore për 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut

2023/01/16 - 3:00

Shtime, 15 janar 2023 – Në kuadër të aktiviteteve për të nderuar e përkujtuar Dëshmorët dhe Martirët, në 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut, pas homazheve, u mbajt akademia përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës, në Shtime.
Sikur në çdo përvjetor, musafir i veçantë në akademi ishte miku i shqiptarëve, ish shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së, z. William Walker.
Me këtë rast, ambasadori z.William Walker, ish-kryesues i Misionit Verifikues në Kosovë në vitet ’99, tha se masakra e Reçakut ishte moment kthese për Kosovën.
“Jo se ishte masakra e parë apo e fundit në këtë vend, por për një numër arsyesh gjërat u bënë bashkë. Ditën tjetër e gjithë bota e kuptoi për Reçakun. Ishte në ballina të gjithë botës. Në Serbi, Qeveria e Beogradit e z. Milosheviq dhe z. Vuçiq, nisën të bëjnë gjërat që të kujdeseshin që bota të mos dëgjonte për Reçakun apo ta pranonte versionin e tyre. Por, falë Zotit kjo nuk ndodhi. Mediumet botërore erdhën, transmetuan pamjet e asaj që po ndodhte në Kosovë, e si rrjedhojë erdhi intervenimi i NATO-s”, u shpreh Walker.
Në akademinë përkujtimore për 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut, kryetari i Komunës, z. Qemajl Aliu u shpreh se Reçaku është dhimbja e madhe dhe e përhershme, e cila nuk do të harrohet asnjëherë.
“Kjo plagë që bartim tani e 24 vjet edhe sot na rëndon, na shkakton dhembje, por duhet të gjejmë ngushëllimin te e vërteta se kjo humbje bëri kthesën historike për Kosoven, duke ndryshuar rrjedhat e historisë sonë.
Ajo që ndodhi më 15 janar 1999, në Reçak, goditi rëndë edhe opininonin botëror duke e zgjuar nga mashtrimet dhe përrallat djallëzore serbomëdha, por vetëm pasi në mesin tonë u gjend njeriu i guximshëm, në krye të misionit të OSBE-së, gjenerali Wiliam Walker, i cili ngriti zërin dhe në mënyrë shumë të qartë tregoi të vërtetën për krimin e ndodhur atë ditë në Reçak.
Fjalët nuk mjaftojnë për ta shprehur nderimin, mirënjohjen e respektin e lartë për mikun tonë të shtrenjtë, të Reçakut, Shtimes e gjithë Kosovës. Megjithatë asnjëherë nuk është pak që përsëri t’i themi me zë të lartë: Falemnderit për gjithçka keni bërë ambasador Walker”, u shpreh ai.
Kurse, kryeministri z. Albin Kurti, tha se një krim i tillë nuk mund të fshihet e as të amnistohet.
“Ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij. Por, një krim kundër njerëzimit, e një gjenocid si ai që kryen forcat e Serbisë në Reçak me 15 janar, nuk mund të fshihet, nuk mund të mjegullohet dhe nuk mund të amnistohet.
Duke u thirrur në dëshmitë e kohës në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut”, tha ai.
Duke i kujtuar me dhimbje viktimat në Reçak, presidentja z. Vjosa Osmani në fjalën e saj në akademinë përkujtimore tha se çdo varr ka një histori tmerri.
“Sot kur i kujtojmë me dhimbje të dashurit tanë, detyrimi për të siguruar drejtësi për ta bëhet synimi ynë më i rëndësishëm. Historia e gjithsecilit prej tyre është vet historia e Kosovës. Ata thërrasin për drejtësi sot e kurdo herë. Mos të harrojmë kurrë që çdo varr në Reçak ka një histori tmerri”, tha ajo.