Republika e Kosoves

Shtime

NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR SALLËN E SPORTIT DHE FUSHËN E FUTBOLLIT

2018/04/17 - 10:07

NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR SALLËN E SPORTIT DHE FUSHËN E FUTBOLLIT

Kryetari i Komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli, së bashku me nënkryetarin, z. Rrahman Jakupi dhe drejtorin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Lumni Amrushi, pritën sot ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Gashi, i cili përkrahë dy projektet në fushën për Kulturë, Rini dhe Sport, e cila kap shumën e 200.000 €.
Qëllimi i takimit me kryetarin Ismajli dhe ministrin Gashi ka qenë nënshkrimi i dy memorandumeve bashkëpunimi.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha :
“Ministria e Kulturës është financues i këtyre projekteve, për sallen sportive e cila është në fazën përfundimtare. Në përmbylljen e këtij projekti i cili ka zgjatur më shumë se 9 apo 10 vite dhe ky ka qenë problem i trashëguar dhe jo për faj të komunës dhe ndoshta edhe për neglizhencë të Ministrisë së Kulturës në të kaluarën. Ne jemi zotuar qe ta përmbyllim këtë projekt me një afat rekord, në mënyrë që qytetarëve të Shtimes dhe sportistëve t’iu dhurojmë këtë objekt të bukur për të zhvilluar lojëra të ndryshme dhe gjithashtu jemi dakorduar të nënshkruajmë edhe një memorandum tjetër, i cili ka të bëjë me fushën e futbollit, i cili është një projekt i përbashkët, të cilin një pjesë do ta financojmë ne Ministria e Kulturës dhe pjesën tjetër komuna e Shtimes”, shtoi Gashi.
Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli e falenderoi ministrin Gashi për vizitën dhe për këto investime që po bëhen në komunën tonë, gjithashtu tha se vlenë të falënderojmë për projektin e fushës së futbollit, bashkëatdhetarët tanë, Avdi Sadiku nga Shtimja, Besart Abazi nga Davidovci dhe Jetmir Mani nga komuna e Ferizajt, dhe meritë e këtyre bashkëatdhetarëve është për stadiumin me bari sintetik, me këtë rast bashkëatdhetarët tanë po tregojnë edhe njëherë modelin e bashkëpunimit mes diasporës dhe institucionit të Komunës, gjithmonë duke pasur parasysh interesin e qytetarëve të Shtimes.