Republika e Kosoves

Shtime

Shkolla e Mesme e Ulët “Emin Duraku” përfiton 50 kompjuterë dhe katër kamera nga organizata “Humanity First”

2022/10/14 - 8:28

Shtime, 13 tetor 2022 – Organizata “Humanity First” sot i ka dhuruar një donacion Shkollës së Mesme të Ulët “Emin Duraku” në Komunën e Shtimes.
Kjo organizatë e ka pajisur shkollën “Emin Duraku” dhe paralelen e ndarë në fshatin Davidovc me 50 kompjuterë dhe 4 kamera, të cilët do të kontribojnë në diturinë e nxënësve të kësaj shkolle.
Në përurimin e pajisjeve të dhuruara morën pjesë nënkryetari i komunës së Shtimes, z.Faruk Beqa, drejtori i Arsimit z.Lulzim Sahiti, drejtori i shkollës “Emin Duraku” z.Rexhep Hasani , nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle.
Me këtë rast, z.Zubair Khalil Khan, përfaqësuesi i organizatës për Ballkanin “Humanity First”, iu drejtua nxënësve me një fjalim duke thënë se ata janë e ardhmja e shtetit.
“Ne e kemi kryer përgjegjësinë tonë, tani përgjegjësi e juaja është të mësoni dhe të edukoheni”, tha ai.
Kurse, drejtori i Arsimit, z.Lulzim Sahiti, e falenderoi drejtorin z.Kahn për kontributin e dhënë për nxënësit e kësaj shkolle duke thënë se me anë të kësaj ndihme nxënësit do të edukohen në mënyrë cilësore.
Ceremonia vazhdoi me disa aktivitete të organizuara nga nxënësit e kësaj shkolle.
Përfaqësuesi i “Humanity First Kosova” u takua edhe me kryetarin e komunës, z.Qemajl Aliu, me të cilin biseduan për mënyrat e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.
Z.Aliu dhe z.Khan folën edhe për mundësinë e bashkëpunimit për ndërtimin e një Qendre të Banimit Social në komunën e Shtimes, ku do të përfitonin familjet e pastreha, ata u dakorduan që të intensifikojnë bisedimet për realizimin e projekteve që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve shtimjan.