2010/08/25 - 12:00
Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës i shoqëruar nga stafi i tij, në praninë e qytetarëve të hënën ka bërë përurimin e fillimit të punimeve të 4 projekteve kapitale, shumica prej tyre infrastrukturë rrugore, vlera e të cilave është mbi 400 mijë euro, mjete këto të ndara nga buxheti i komunës.
‘’Në vendin e quajtur “Podi i Gështenjave”, nga i cili gjatë luftës së fundit, pushtuesi serb grasatonte vendbanime të tëra të Dukagjinit dhe më gjerë, po fillojmë asfaltimin e rrugës e cila lidhë Deçanin me fshatin Hulaj”. Kështu iu ka thënë të pranishmëve kryetari Selmanaj, i cili asfaltimin e kësaj rruge e ka quajtur “artere” të zhvillimit dhe të mirëqenies, për të cilën komuna nga buxheti i saj ka ndarë mbi 194 mijë euro. “Kurrë më nuk do të shkrepën armë nga “Podi i Gështenjave”, sepse ky vend po shndërrohet në një punishte të madhe të ndërtimit të rrugës,por edhe të shtëpive, ndërsa fshati im, i cili deri tani ka qëndruar i bllokuar për mungesë rruge po rilindë”, ka thënë Nezir Hulaj, nga fshati Hulaj, i cili shprehët mirënjohës për investimet e komunës së tij.
Në ndërkohë, në një solemnitet tjera ku po ashtu ishin të pranishëm edhe qytetarë të shumët, kanë filluar punimet në asfaltimin e rrugës Deçan-Carrabreg, kostoja e së cilës është mbi 111 mijë euro, sikurse edhe asaj Beleg –Kodrali, mbi 41 mijë euro. Në një atmosferë gëzimi dhe hareje, banorët e këtyre fshatrave, janë shprehur mirënjohës autoriteteve komunale, duke vlerësuar se asfaltimi i këtyre rrugëve do t’i a lehtësojë jetën e tyre dhe njëkohësisht tutje do të kenë kushte për zhvillim. “Rruga Deçan-Carrabreg, do t’ia lehtësojë “frymëmarrjen” rrugës kryesore në Deçan dhe si alternativë tjerr do të zbusë kaosin e pranishëm në rrugën kryesore të këtij qyteti”, ka thënë Jashar Dobraj, kryesues i KK-së, i cili tregon se prioritet e Komunës, sivjet vazhdojnë të realizohen sipas planifikimit dhe dinamikave të parapara.