Republika e Kosoves

Deçan

Komuna shpërblen fermerët e dalluar

2010/10/29 - 12:00

Pas mbajtjes së Panairit të gjedhëve dhe deleve, në nivel të komunave të Dukagjinit, i organizuar nga Komuna e Deçanit,Ministria e Bujqësisë dhe FAO, me qëllim të zhvillimit të blegtorisë, komisioni përkatës ka ndarë 7 shpërblime për fermerët më të dalluar të Komunës së Deçanit dhe asaj të Junikut. Afrim Sharku, udhëheqës i projektit të FAO-s  ndër më të mirët ka renditur emrat e fermerëve: Smajl Berisha, Ali Zukaj,  Ylber Maloku,  Hasan Dukaj,  Sherif Isufaj, Qamil Lokaj dhe  Valdet Dërvishaj, të cilëve Komuna iu ka dhuruar nga 100 euro, plus shpenzimet e transportit për sjelljen e gjedheve dhe deleve në panairin e përmendur regjional,i cili tutje u tha se do të jetë tradicional.

“Janë këto vetëm disa nga shpërblimet simbolike, të cilat kanë për qëllim zhvillimin e blegtorisë”, ka thënë Nasim Haradinaj, drejtor i Drejtorisë Komunale të Bujqësisë, Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural, i cili ka premtuar se bashkë me ministrinë përkatëse do të vazhdojë të ndihmojë fermerët dhe njëkohësisht zhvillimin e bujqësisë. Ai, ka treguar se Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi ( FAO), ka hartuar projektin për ndërtimin e një tregu bagëtish të nivelit regjional dhe modern dhe se për këtë qëllim Komuna e tij, ka caktuar lokacionin, ndërsa ky projekt i rëndësishëm do të realizohet nga Ministria e Bujqësisë. Haradinaj, po ashtu është zotuar se drejtoria e tij në të gjitha format e mundshme do t’i përkrah fermerët e kësaj komune.