Republika e Kosoves

Deçan

Kryetari Ramosaj sot në Gllogjan

2024/03/24 - 10:45

U mblodhëm për të shënuar 24 Marsin, datë në të cilën historia e popullit tonë mori kthesën e duhur dhe rrugën drejt lirisë, për të cilën punuan dhe u sakrifikuan shumë breza.
Po me këtë datë na kujtohen vuajtjet e këtij populli, krenaria, qëndresa, vetëmohimi, e po ashtu mbrojtja e identitetit tonë, i nëpërkëmbur nëpër shekuj.
Që një datë të jetë historike e të nderohet përjetësisht, patjetër që duhet të ketë heronjtë e luftëtarët e saj. Heronjtë dhe dëshmorët e kësaj dite të dhimbshme dhe madhështore.
E them e dhimbshme sepse atë ditë ranë tre bashkëluftëtarë të Luanit të UÇK-së, Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj e Agron Mehmetaj, të cilët janë pjesë e krenarisë tonë kombëtare.
Heronjtë e gjallë të asaj dite nën emblemën e UÇK-së, familja e shenjtë e Haradinajve bëri atë që përgjatë historisë sonë si komb ishte e pa parë dhe e pa dëgjuar ndonjë herë.
Shumë e vështirë ta thuash me fjalë historinë prej luftëtari që bëri atë ditë Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Gjenerali Ramush Haradinaj.
Në këtë ditë lindi dhe u brumos shpresa jonë si komb, që liria për ne tashmë kishte ardhur pavarësisht çmimit të madh që paguam si komb.
Nderim përjetësisht 24 Marsit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjes emblematike të Hilmi Haradinaj!
Lavdi e nderim përjetësisht për dëshmorët dhe martirët e kombit!
Mirënjohës pafundësisht për 24 Marsin e vitit 1999, ndërhyrjes së trupave të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës!