2010/10/07 - 12:00
Kryetari i Komunës, Rasim Selmanaj dhe koloneli, Davide Di Bartolo, komandant i BSHP të KFOR-it, të enjten në praninë e zyrtarëve komunal dhe ushtarakëve të KFOR-it italian, në Deçan kanë vënë gurin themeltar të fillimit të punimeve për ndërtimin e çerdhes për fëmijë
“Me investime të përbashkëta me KFOR-in, po realizojmë një projekt shumë domethënës për qytetarët e kësaj komune, kërkesë kjo dhe nevojë e kamotshme e tyre”, ka thënë kryetari Selmanaj, duke u shprehur falënderues për të gjitha projektet e realizuara nga KFOR-i italian në këtë komunë. Ai, gjithashtu iu ka thënë të pranishmëve se ky investim është vetëm një ka shumë projektet që po realizohen sivjet në këtë komunë, duke shfrytëzuar burime financiare nga buxheti komunal, donacionet qeveritare, donatorët ndërkombëtar dhe participimet e qytetarëve. Sipas tij këto burime të financimit vazhdojnë të bëjnë ndryshime të mëdha në këtë komunë, vazhdojnë të përmirësojnë jetën dehe mirëqenien e qytetarëve dhe ky trend do të jetë praktikë e udhëheqjes komunale.
Ndërkaq, koloneli Davide Di Bartolo, është shprehur i lumtur siç tha ai, “ që si përfaqësues i shtetit italian po vendosë gurin themeltar të ndërtimit të çerdhes së fëmijëve”, duke vlerësuar se fëmijët janë e ardhmja e shtetit të ri të Kosovës. Di Bartolo, ka treguar se realizimi i këtij projekti është fryt i bashkëpunimit të jashtëzakonshëm të Komunës së Deçanit dhe forcave paqeruajtëse, është projekti i parë që po realizohet me investime të përbashkëta dhe ne do të jemi këtu për të përcjellë gjithë dinamikën e punimeve. Ndonëse, për një muaj më skadon mandati, unë do të kërkojë nga shteti im që me rastin e përurimit të këtij objekt të jem prezent, ngase nga ky vend kam përshtypje të mira, ndaj edhe e ndiej si obligim që sukseset t’i kremtojmë së bashku, ka premtuar ai, duke iu shprehur mirënjohës shtetit të tij për investimet e ndara për fëmijët e kësaj komune.Ramë Melaj, drejtor i Drejtorisë Komunale të Urbanizimit, ka treguar se kjo çerdhe e fëmijëve e cila po ndërtohet në një hapësirë jo fort larg qendrës së qytetit, do të jetë dy katëshe, 400 metra katrore, kurse me mundësi të rregullimit edhe të hapësirave të tjera të nevojshme për fëmijët e kësaj komune. Ai gjithashtu, ka treguar se ndërmarrja private ndërtimore “Jeta”, është zotuar të realizojë dinamikën e dertimit për 90 ditë pune.