Republika e Kosoves

Gllogoc

Komuna e Drenasit e risuspendon mësimdhënësin me iniciale Sh.Xh

2019/02/06 - 5:42

Komuna e Drenasit e risuspendon mësimdhënësin me iniciale Sh.Xh

 

Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria Komunale e Arsimit, menjëherë pas rastit të paraqitur në media për keqtrajtim seksual ndaj të miturës, ka marr vendim për risuspendimin e mësimdhënësit SH.XH.

Në konferencën për media të organizuar nga kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci më poshtë gjeni deklarimet e tij lidhur me këtë çështje;

 

Fillimisht, ashtu sikurse të gjithë qytetaret e Drenasit, edhe mua  me ka shqetësuar jashtë mase kjo ngjarje dhe jam tejet i indinjuar.

Duke pasuar parasysh zhvillimet e datës 05.02.2019, përmes medieve jemi njoftuar se është arrestuar një hetues në Stacionin Policor në Drenas, dhe ky rast lidhet me rastin e Sh. Xh. Menjëherë duke respektuar legjislacionin në fuqi, drejtoria e Arsimit ka pezulluar nga puna mësimdhënësin Sh. Xh, në të njëjtën kohë Ne si Institucion do të iniciojmë  rast në Hetuesi ndaj mësimdhënësit, po ashtu ndaj të njëjtit do të zhvillohet edhe procedura disiplinore.

Komuna e Drenasit, respektivisht drejtoria e Arsimit, pas njoftimit të datës 19.09.2017, të Komandantit të Stacionit Policor në Drenas, se në Stacionit Policor është raportuar Keqpërdorim seksual, duke përdorur pozitën, autoritetin apo  profesionin, dhe se është iniciuar rast në Prokurori, drejtoria e Arsimit me datë 20.09.2017, ka marr vendim që ta pezulloj nga puna mësimdhënësin Sh.Xh.

Komuna e Drenasit, deri në njoftimin zyrtar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nuk e ka kthyer në vendin e tij të punës mësimdhënësin Sh.Xh, mirëpo me datën 19.01.2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nxjerr Aktvendimin PP/II nr.576/17, me anë të së cilit i Pushon Hetimet kundër të pandehurit Sh. Xh.

Pas pranimit të Aktvendimi të Prokurorisë Themelore, komuna e Drenasit, konkretisht drejtoria e Arsimit prapë me datën 08.02.2018, i ka shkruar shkresë Prokurorisë Themelore në Prishtinë në lidhje me këtë çështje.

Mirëpo duke pasur parasysh Aktvendimin e Prokurorisë Themelore për pushim të hetimeve, të njëjtit i ndërprerët pezullimi dhe kthehet në vendin e tij të punës, pra Ne komuna e Drenasit kemi qenë të pafuqishëm të ndërmarrim veprime tjera pasi që për këtë çështje ishte vendosur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Edhe një herë shpreh keqardhjen time më të thellë lidhur me këtë rast dhe i ftoj organet e drejtësisë që rastin në fjalë ta trajtojnë me seriozitetin e duhur, duke marrë parasysh edhe ndjeshmërinë.