Republika e Kosoves

Gllogoc

Ramiz LLADROVCI

Ramiz Lladrovci u lind më 3 Janar 1966, në Shkabë (ish-Gllanasellë) të Drenasit.
Shkollën fillore e kreu në fshatin Dritan (ish-Dobroshevc), shkollimin e vazhdoi në Drenas, ndërsau diplomua në Gjimnazin “Jeta e Re” të Therandës. Ka diplomuar në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës.
Në vitin 2005 ka përfunduar kursin pasuniversitar “Marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci“, në Akademinë Diplomatike Shqiptare, në Tiranë.
Në mars të vitit 2008, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndoqi studimet pasuniversitare dhe mori titullin master, me temën: “Trajtat dhe organizimi i shoqërive të kapitalit në Kosovë“.
Nga viti 2013 ka ndjekur studimet e doktoranturës në Fakultetin Juridiktë Universitetit të Prishtinës.
Ramiz Lladrovci është një prej  themeluesve të  strukturave të para të rezistencës së armatosur, më vonë, bashkëthemelues i UÇK-së dhe pjesëtar i saj deri në përfundim të luftës. Ka dhënë kontribut të shquar në masivizimin dhe mobilizimin e UÇK-së në Kosovë dhe në Perëndim.
Është një nga figurat kyçe të Lëvizjes Popullore të Kosovës, ka qenë njëri ndër katër pushkët e aksioneve të para të UÇK-së. I burgosur politik nga regjimi i Serbisë në vitet 1986, 1988, 1992, 1993.
Ramiz Lladrovci është i martuar  me znj. Shemsie Istogu-Lladrovci dhe kanë katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë.
Është i shpërblyer me disa mirënjohje e dekorata.
Përvoja e punës:
Nga Dhjetori 2016: Kryetar i Komunës së Drenasit.
Nga Prilli 2016: Ambasador, fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë. Paraprakisht, nga korriku 2014: I Ngarkuar me Punë i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë.
2010 – 2014: Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, legjislatura IV, Partia Demokratike e Kosovës.
2010: Anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës. Themelues dhe anëtar i Kryesisë së Partisë së Progresit Demokratik të Kosovës (sot PDK), që nga viti 1999.
Mars 2006– Janar 2008: Shef i Kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Agim Çeku.
Dhjetor 2005 – Shkurt 2008: Anëtar i Grupit të Ekspertëve për Fushën e Ekonomisë dhe Financave i Ekipit Negociator të Kosovës.
Tetor 2003 – Dhjetor 2008: Sekretar organizativ i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Mars 2001 – Maj 2003: Shef i Shërbimeve mbështetëse dhe Shef i Kabinetit të Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të TMK-së.
Shtator 1999 – Mars 2001:  Zëvendëskomandant i Gardës së Kosovës dhe Grupit për Reagime të Shpejta (GGRSH), (GRRG) dhe përgjegjës për bashkëpunim me KFOR-in, Brigada Shumëkombëshe Qendër (BSHKQ).
Dhjetor 1999 – Maj 2003: Oficer i Ndërlidhjes në mes të TMK-së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Karriera ushtarake:
Janar 2000: Kolonel (niveli 4), i graduar nga PSSP i OKB-së, Bernard Kouchner dhe Komandanti i SHP të TMK-së, Agim Çeku.
Qershor 2002: Gjeneral-brigade (niveli 3), i graduar nga Komandanti i SHP i TMK-së, Gjenerallejtënant Agim Çeku.
Po ashtu, Ramiz Lladrovci ka qenë Oficer i ndërlidhjes në mes të UÇK-së, Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe NATO-s;
Drejtues i Zyrës ndërlidhëse të UÇK-së në Tiranë;
Përgjegjës për mediumet vendore dhe ndërkombëtare gjatë luftës çlirimtare;
Përgjegjës për mobilizimin e radhëve të UÇK-së;
Drejtor administrativ i fondit “Vendlindja Thërret”;
Para luftës çlirimtare ishte Sekretar i Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), NKMDLNJ në Drenas (ish-Gllogoc).