Republika e Kosoves

Shtime

Historiku

. HISTORI E SHKURTËR PËR KOMUNËN E SHTIMES


Që nga koha e bronzit dhe hekurit, Shtimja ishte e banuar nga popullsia ilire e fisit të dardanëve, të shpërndarë në kala të shumta dhe vendbanime kodrinore e fushore. Në kohën e sundimit të Perandorisë Romake u zhvillua rrjeti i vendbanimeve urbane dhe i rrugëve, të cilat lidheshin me sistemin rrugor të Perandorisë. Në Kosovë rrjeti i vendbanimeve, gjatë kësaj kohe, u dendësua dukshëm. Numri i kalave iliro-dardane si ajo mbi fshatin Petrovë (e cila nuk ka asnjë shenjë sot, ndërsa mbetjet e fortifikimeve  janë mbuluar nga pyelli) ishte mjaft i madh. Pas shkatërrimit të shumë kalave iliro-dardane antike (prej luftrave dhe termetit të fortë të vitit 518) u zhvillua sistemi i vendbanimeve në kohën bizantine (shek. IV-XII) dhe mesjetën e hershme serbe (1180-1389). Vlen të përmendet Kështjella mesjetare e Topillës, e cila gjendet në një ngushticë 10 km në jug të Shtimes, e cila shtrihet nëpër luginën e Topillës. Kështjella në fjalë, gjendet mbi një shkëmb në të djathtë matanë rrugës dhe populli e quan “Guri i Shtrenjtë”. Asokohe kjo kështjellë siguronte rrugën dhe shërbente për mbrojtjen e pjesës perëndimore të Fushës së Kosovës dhe të qytetit të Shtimes.

Mbetjet e Kështjellës Mesjetare “Guri i Shtrenjtë” pranë Shtimes

 

Vendbanimet e para, fshatrat e kësaj treve, pra, edhe Shtimja me rrethinë, u krijuan shumë herët dhe ishin rezultat i kalimit prej mënyrës nomade të jetës së njerëzve, në mënyrën e jetës në një vendbanim për një kohë të gjatë, pra jetës së ngulitur. Kjo u bë atëherë kur filloi punimi i tokës, zhvillimi i bujqësisë, sidomos lavërtarisë. Formimi i vendbanimeve u bë, sidomos, në ato pika të caktuara ku njerëzit kishin kushte të volitshme për jetë, pra, me klimë të mirë, me botë të zhvilluar bimore e shtazore, me ujë të bollshëm për vete dhe për shtazë, kullosa të begatshme dhe tokë cilësore për punë. Shtimja i kishte dhe i ka këto të mira natyrore: lumin Shtimjanja në mes, malet dhe tokën pjellore. Prej kohësh, si pamë, kishte edhe rrugën që lidhte Perëndimin me Lindjen dhe anasjelltas. Të gjitha këto bënë që ky vendbanim të ekzistojë që nga kohët më të vjetra. Realisht kur është themeluar Shtimja, nuk kemi burime të sakta historike të kohës. Mund të jetë formuar disa shekuj para se të përmendet në burimet mesjetare serbe e raguziane. Numri kaq i madh i shtëpive të këtij vendbanimi (109) për atë kohë, flet në të mirë të këtij konstatimi. Edhe disa nga fshatrat e territorit të Shtimes janë të vjetra dhe kanë pasur emërtimet që i kanë edhe sot, sepse në kohën e mesjetës, toponimet autentike të vendbanimeve, trojeve, fshatrave e qyteteve, u reduktuan deri në minimum. U bë përkthimi i tyre, rëndom i emrave të vendbanimeve dhe fshtrave të vogla, i atyre emrave, kuptimi i të cilëve dihej, ndërsa nuk u përkthyen ata emra, kuptimi i të cilëve kishte humbur për shkak të lashtësisë. Shtimja, si toponim, dëshmohet shumë herët historikisht, mirëpo është emërtim që nuk përkthehet dhe gjatë shekujve na paraqitet në disa forma, por, për nga ndërtimi strukturor është i ngjashëm me emërtimin e sotëm. Në dokumentet mesjetare ajo për herë të parë përmendet në vitin 1326 kur Stefan Deçani, nga oborri i tij mbretëror në Shtime, u lëshon diploma dubrovnikasve “in laco disto Stimni”, regjistruar në Dubrovnik, më 9 dhjetor të vitit 1329. Nga krejt kjo që u tha është vështirë të thuhet prerazi dhe të vërtetohet lashtësia e Shtimes, me gjithë ekzistimin e gjurmëve të kulturës materiale nga e kaluara e largët, pa hyrë kazma e arkeologëve, që tash pa frikë do të punonin, do të hulumtonin dhe më në fund do të thoshin fjalën përfundimtare për Shtimen dhe për të kaluarën e saj historike, edhe pse nga diplomat e sundimtarëve të Mesjetës dhe më pastaj të defterëve turq, si do të shohim, gjejmë shënime të vlershme, që përforcojnë konstatimin se Shtimja është vendbanim mjaft i moçëm. Se Shtimja hynë ndër vendbanimet më të vjetra të Kosovës, në vijim po japim disa të dhëna dhe burime faktografike nga koha e Mesjetës. Meqë krisobulat, diplomat, aktdhurimet apo kartat etj., që ishin në përdorim në kohën e Mesjetës dhe gëzonin besim juridik, rëndësia më e madhe e tyre është se emrat e vendbanimeve dhe llojeve të tjera të makrotoponimeve përbëjnë një pasqyrë reale të topografisë të një pjese të truallit të sotëm të Kosovës, të dekadës së tretë e të katërt të shekullit XIV atëherë kur edhe Shtimja si vendbanim përmendej në ato dokumente.

Treva e Shtimës ishte banuar që nga koha antike, këtë e vërtetojnë gjurmët e së kaluarsë të gjatë historike me mikrotoponime të pasura, troje të vjetra, gërmadha të kishave iliro-romake, rrugët e vjetra, gjurmët e doganës romake – bizantine – turke në Gryken e Topillës, te Guri i Shtremët, toponimet të vendbanimeve (Gjyteti) në Petrovë, (Gjyteti) në Karaqicë, Trolli i Harazit, në Pjetershticë, (i cili si duket, dikur ishte fortifikatë), gjurmët e tumës ilire në Molopolc, në Vojnovc, gjësende të tjera të gjetura gjatë punëve bujqësore e ndërtimore, që datojnë nga kohrat më të vjetra. Pra, gjatë hulumtimeve intensive arkeologjike të epokës së hekurit, të kryera nga Muzeu i Kosovës, në vitin 1976, u realizua pjesërisht projekti: “Dardanët Parahistorikë në Dritën e Hulumtimeve Arkeologjike në Kosovë”, ku në kuadër të këtij projekti nga tetë tumat ilire në Porodime të Shtimes, u gërmuan vetëm tri sosh. Me këtë rast, u konstatua se nekropolet e grupit kulturor dardan kanë qenë të tipit tumular me konstruksione të zakonshme për tumat ilire, unaza rrethore të përbëra prej gurëve të lumenjve dhe konstruksione të varreve. Këto tuma kishin dimensione të mesme dhe diametrin prej 13-18 m. Ato ishin dëmtuar qysh herët nga lëvrimi i tokës, me ç’rast janë shkatërruar edhe konstruksionet prej guri. Unaza rrethore, si pjesë e konstruksionit tumular është ruajtur në tërësi vetëm në tumën IV të nekropolit të Porodimes.

Pozita e përshtatshme gjeografike, sidomos në grykën e Carralevës dhe atë të Topillës, luajti rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e një sërë betejash. Gjatë vitit 1810 u zhvilluan beteja të rëndësishme kundër forcave osmane nën komandën e Dervish Pashës. Dhe më vonë rreth vitit 1910 Shtimja luajti rol vendimtar kundër forcave xhonturke, të cilat komandoheshin nga Xhafer Beu e Shefqet Dërgut Pasha, gjatë kësaj periudhe u arritën fitore falë pozitës së përshtatshme gjeografike në Grykën e Carralevës dhe komandantit të kryengritësve shqiptarë në rajonin e Shtimes, Isa Boletinit.

Më 2 janar të vitit 1943 është e njohur beteja tjetër e Grykës së Carralevës ndërmjet forcave partizane (Ardhës “Zenel Hajdini”) dhe forcave pushtuese italiane. Këtë ditë në Grykën e Carralevës 18 luftëtarë të kësaj Aradhe kanë zënë pritën kolonës italiane të motorizuar dhe pas betejës italianët patën 23 të vdekur. Në këtë aksion të armatosur humbi jetën partizani i ri, Abdullah Shabani nga Mitrovica.

Kompleksi Përkujtimor “Masakra e Reçakut” – Reçak

 

Gjatë viteve 1998-1999, në këtë komunë u organizua Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), përkatësisht Zona Operative e Nerodimes (ZON), me seli në fshatin Mollopolc, si dhe një pjesë e Zonës Operative të Pashtrikut (ZOP). Qëllimi i formimit të tyre ishte çlirimi i kësaj komune nga forcat okupatore serbe. Gjatë rezistencës së armatosur për lirinë e kësaj komune dhe të Republikës së Kosovës, kanë rënë dëshmorë 46 ushtarë, 88 kanë mbetur invalidë të luftës dhe janë martirizuar mbi 90 civilë. Gjatë kësaj lufte janë shkatërruar 1413 shtëpi, kurse dëmet e luftës, vlerësuar nga komuna, kanë qenë mbi 40 milionë euro. Komuna e Shtimes është çliruar nga okupatori serb më 12 qershor të vitit 1999. Çlirimin e saj, si dhe gjithë Kosovës, e mundësoi Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sulmet 78 ditëshe të NATO-s ndaj forcave serbe.