Republika e Kosoves

Prizren

Kryetari i komunës prof.dr. Ramadan Muja dhe kryeministri I Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi në nderim të 15 vjetorit të epopesë së vrrinit në fshatin Jeshkovë organizuan një manifestim përkujtimor të lavdisë sonë kombëtare

2013/09/03 - 12:00

Në vijim japim fjalën e kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi :

I nderuari kryetar Muja,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar bashkëluftëtarë,

Ndihem jashtëzakonisht mirë dhe shumë krenar që sot gjendem në mesin tuaj, në mesin e njerëzve që dhanë shumë për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Sot jemi në një vend të shenjtë për neve të gjithë, jemi në oborrin e selisë së shtabit të Brigadës së kësaj ane, pra të Vërrinit, të Brigadës 125.

Sot jemi këtu për të nderuar në mënyrë shtetërore luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përpjekjet dhe sakrificat që u bënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

15 vite më parë një ngjarje madhështore dhe e papërsëritshme hyri në historinë e Kosovës, hyri në historinë e kombit tonë.

Historia e Kosovës prodhoi modelin unikat të sakrificës për liri:
Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Epopeja e Vërrinit.

Bashkëluftëtarët tanë në rajonin e Vërrinit po përballeshin me armatën shtypëse të Serbisë. Pas luftës heroike që u zhvillua në Prekaz, zgjerimit të luftës gjithandej Kosovës, treva e Vërrinit ishte prej të parave që u solidarizua, u mobilizua rreth UÇK-së për tu përballur me ushtrinë, policinë dhe administratën e Serbisë, me shpresën dhe besimin e patundur për fitore.

Dhe fitorja ndodhi. Fitorja ndodhi, sepse për herë të parë u organizuam ashtu siç dimë ne, u organizuam në gjithë Kosovën, luftuam kudo në Vërri, në Prizren, në Has, në Dukagjin, në Drenicë, në Shalë, në Nerodime, në Karadak, në Llap, dhe kudo në Kosovë.

Kur ne të gjithë në Kosovë u bashkuam rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë edhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në Mal të Zi, por edhe në diasporë, u bashkuan.

Të jeni të bindur, se kur të gjithë shqiptarët u bashkuan rreth qëllimit dhe vizionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri, atëherë lëvizi edhe diplomacia ndërkombëtare, lëvizi edhe Uashingtoni, edhe Brukseli, edhe NATO, dhe forcat demokratike u bënë me ne, dhe ne fituam.

Por pa sakrificën tonë askush nuk do të lëvizte, prandaj lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lavdi dëshmorëve të lirisë.

Ndihem shumë krenar që kam pasur nderin dhe kënaqësinë të jem bashkëluftëtar i dëshmorëve të kësaj treve, të jem bashkëluftëtar i shumë invalidëve të kësaj ane, të jem bashkëluftëtar i shumë veteranëve edhe të kësaj treve. Prandaj, edhe personalisht ndihem krenar me Vërrnin dhe i takoj sakrificës së Vërrinit.

Sot 15 vite më vonë, Kosova është ndryshe. Kosova është ndryshe sepse vetëm për një moment, ne duhet të shikojmë gjeneratën e re, gjithë këta nxënës të mrekullueshëm, të cilët dëshiroj t’i përshëndes, edhe ata, edhe mësimdhënësit, dhe nga këtu gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit e Kosovës t’i uroj për fillimin e vitit të ri shkollor. Urime dhe suksese.

Secili nga ne që është sot këtu, duhet të mendoj se ku ishte Vërrini dhe Kosova 15 më herët: nën një presion, dhunë, deri në përmasa të gjenocidit nga ana e Serbisë.

Por, në të njëjtën kohë me një vendosmëri të jashtëzakonshmet shqiptarëve, të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri.

Ju duhet të ndiheni krenar, secili prej juve, edhe si individ, edhe si qytetarë, edhe si familje, sepse ju të gjithë ishit ushtar të lirisë.
Çdo shtëpi këtu ka qenë shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. ju ishit unik, dhe ju fituat. Ne jemi krenar me ju.

Sot shteti i Kosovës është kudo.  E ka prezencën kudo. Kjo ndihet edhe në Vërri. Vetëm para pak vitesh, ne kemi qenë së bashku edhe në këto treva, në shumicën e fshatrave të Vërrinit. Ka qenë baltë, kanë qenë rrugë të pashtruara, ka pasur mos investim në infrastrukturë, në shkolla.

Sot është krejt ndryshe, edhe Vërrini edhe Prizreni. Kanë ndodhur investime kudo, edhe në fshatin tuaj, dhe në të gjitha hapësirat e Vërrinit dhe të Prizrenit.

Pra, bashkërisht e fituam luftën, bashkërisht po e zhvillojmë shtetin tonë, bashkërisht po e përparojmë vendin tonë.

Sot në këtë ditë të rëndësishme për shtetin tonë, kemi arritur që ta konsolidojmë dhe ta forcojmë shtetin. Kemi arritur të kemi mbi 100 njohje për shtetin e Kosovës.

Shtetin tonë e kemi afruar pranë integrimeve euroatlantike, edhe në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, por edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sot, me shtetin e Kosovës ndihet mirë dhe krenar çdo qytetar i Republikës së Kosovës, por ndihen mirë edhe krenar edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, që na kanë ndihmuar për t’u çliruar, sepse Kosova është shembull i mirë. Kosova është treguar storje e suksesit të plotë.

Ne duhet të vazhdojmë, pas lirisë dhe pavarësisë, edhe në fazën e tretë, atë për të cilën jemi zotuar të gjithë të punojmë bashkërisht, për tu integruar në NATO dhe në Bashkim Evropian.

Unë ju siguroj që për Kosovën nuk do të ketë as ndalesë, nuk do të ketë as kthim mbrapa. Për Kosovën do të ketë lëvizje përpara, për Kosovën do të ketë vetëm integrime.

Të nderuar të pranishëm
I nderuari kryetar Muja

Edhe njëherë, unë ju falënderoj shumë për këtë organizim madhështor.

Le t’i nderojmë dhe t’i respektojmë gjithmonë dëshmorët e lirisë, heronjtë e kombit. Le t’i nderojmë dhe t’i respektojmë gjithmonë invalidët e luftës.  Le t’i nderojmë dhe t’i respektojmë gjithmonë edhe si shtet, dhe shoqëri, veteranët e luftës. Le t’i nderojmë dhe t’i respektojmë gjithmonë , si shtet dhe shoqëri, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Të jeni të bindur se, përderisa ne respektojmë vlerat e luftës tonë çlirimtare, dhe ne do t’i respektojmë përjetësisht, ne do të ecim përpara.

Prandaj, edhe njëherë, lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lavdi dëshmorëve të lirisë, lavdi luftës sonë.

Faleminderit shumë.