Republika e Kosoves

Prizren

Urime kthimi i dëshmorit në bronz !

2013/03/22 - 12:00

Në vazhdim japim fjalën e kryetarit të komunës, mbajtur në këtë përvjetor:
 
Emërimi i shkollës me emrin e dëshmorit, për mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës suaj është një obligim më shumë, që u obligon që emrin e tij të nderuar ju ta nderoni me suksese në mësime, për çka nuk dyshoj, sepse për çdo ditë po mundohemi që të krijojmë kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor.
 
Të nderuar nxënës dhe të pranishëm, në vitin e parë të shënimit të përvjetorit të shkollës suaj, përvjetor ky që përkon me ditëlindjen e dëshmorit Nazim Kokollari, sepse dëshmorët kanë vetëm ditëlindje, sepse ata me sakrificën e tyre u shndërruan në pavdekësi.  Nuk ka fjalë, që mund ta përshkruajnë jetën e një dëshmori të lirisë, por unë dua të shtoj vetëm faktin se Nazimi pas 6 viteve sa punoi në Gjermani e la lluksin dhe jetën moderne, për të ardhur në Kosovë për t’u rreshtuar në radhët e UÇK-së ku luftoi deri sa ra në betejën e Raçakut më 15 janar 1999.
 
Ju familjarë të Nazimit dhe ju nxënës të shkollës, që e mban emrin e këtij dëshmori nga sot do të jeni edhe më krenar sepse nga sot dëshmori po u kthehet në bronz, për të qenë në mesin tuaj si udhërrëfyes se si duhet të punohet për vendin e vet. Ai u angazhua me pushkë në dorë, ndërsa ju do të angazhoheni me rrugën e dijes.
Në këtë përvjetor shkolla juaj, ka dy gëzime, zbulimi i bustit të dëshmorit, që u realizua falë ndihmës së familjarëve dhe banorëve të lagjes, për çka u jemi mirënjohës të gjithë atyre që ndihmuan dhe po e vejmë gurthemelin e ndërtimit të Sallës së Edukatës Fizike, që i ka munguar kësaj shkolle.
 
Prandaj, nuk ka urim më të mirë se sa në përvjetorin e shkollës të vejmë gurthemele të ngritjes së hapësirave shkollore, ashtu siç janë gurthemel i Shtetit të Kosovës gjaku i dëshmorëve, të cilëve do t’u përkulemi përgjithmonë.
 
Në fund edhe një herë urime dita e shkollës
 
Urime kthimi i dëshmorit në bronz në mesin tuaj dhe në lagjen ku është rritur
 
Urime fillimi i ndërtimit të sallës së Edukatës së fizikës
 
Dhashtë Zoti që në të gjithë përvjetorët të kemi përurime dhe arsye pse të kremtojmë
 
 
 
Të  dhëna shtesë
 
1.    Busti ka kushtuar 4300 Euro
3300    Euro i kanë mbledhur  familjarët
1000  Euro  banorët lagjes
 
2.  Projekti i Sallës së edukatës  Fizike  ka vlerën  prej 228. 500 Euro