2013/03/19 - 12:00
Në promovim të parqeve ishte edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Prof. Dr. Ramadan Muaj me stafin e tij, bashkëpunëtor dhe qytetarë të këtyre lagjeve. Kryetari Muja u shpreh i kënaqur me faktin se qytetit të Prizrenit po i shtohen hapësirat e gjelbëruara dhe se nga këto dy pika po evitohen këndet e hedhjes së mbeturinave. Parku në lagjen e Ralinit tash më i ka dhënë kuptim hyrjes në qytetin e Prizrenit si dhe daljes nga qyteti për në Grykën e Lumëbardhit. Aty banorët e lagjes dhe qytetarët të cilët presin autobusët për tu kthyer në vendbanimet e tyre në zonën e Grykës së Lumëbardhit do të kenë mundësinë të pushojnë në ambientin e pastër dhe të gjelbëruar.
Drejtori i Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Samir Hoxha prezantoi në detale projektet dhe punimet e kryera si dhe u zotua se kjo drejtori do të intervenojë dhe projektojë në vazhdimësi projekte që ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe të zhvillimit ekonomik.