2013/03/12 - 12:00
Në vijim japim fjalën e kryetari të komunës, mbajtur në akademi:
Të nderuar mësimdhënës dhe nxënës të Shkollës Teknike “11 Marsi”
Shumë të respektuar të pranishëm të kësaj akademie, u shprehi falënderimet e mia personale dhe të gjithë qytetarëve të Prizrenit, që keni ardhur për ta nderuar krenarinë e dëshmorëve dhe luftën e tyre heroike, që këtë vit po e shënojmë ndryshe nga vitet e kaluara, sepse nga viti i kaluar me këtë datë të lavdisë shqiptare e kemi emruar Shkollën eMesme teknike, ku sot e bëmë edhe zbulimin e lapidarit të ndarë në mënyrë simbolike në tri pjesë:
– përkujtimin e demonstratave të vitit 1981,
– në përkujtimin e 16 dëshmorëve të UÇK-së, nxënës të kësaj shkolle dhe
– përkujtimin e 18 dëshmorëve të rënë në Betejën e Jeshkovës më 11 mars 1999
Për shkak të rëndësisë së shumëfishtë të 11 Marsit – si datë historike, që koinçidon me ditën e fillimit të demonstratave studentore të vitit 1981 dhe me Betejën e Jeshkovës si dhe për faktin se ngaradhët e UÇK-së në altarin e lirisë ranë 16 nxënës të Shkollës Teknikë, ne e përkrahëm propozimin e shkollës që kësaj shkolle t’i jepet emri “11 Marsi” përmes të cilit emër kemi nderuar ngjarjen që bëri kthesë në historinë e Kosovës, shënimin e Betejës së Jeshkovës, që përmes gjakut të dëshmorëve u vulos liria e Kosovës.
Të nderuar të pranishëm 11 marsi, që po e shënojmë sot e do ta shënojmë për çdo vit ka edhe një simbolikë të veçantë, se studentët dhe të rinjtë të cilët morën pjesë në demonstratat e 11 marsit të vitit 1981, me t’u dhënë kushtrimi për luftë nisën ta udhëheqin luftën e UÇK-së, ndërsa ata që lindën në vitin e këtyre demonstratave u rreshtuan vullnetarisht në radhët e kësaj ushtrie, sepse patën të njëjtin qëllim, – çlirimin e Kosovës nga thundra e okupatorit.
Të nderuar të pranishëm, sot jemi tubuar këtu ta shënojmë 14 vjetorin e Betejës së Jeshkovë, në të cilin fshat një vit para se të zhvillohet kjo betejë qe vendosur Shtabi i UÇK-së për Komunën e Prizrenit nën udhëheqjen e Komandant Remzi Ademajt.
Jeshkova gjatë viteve të luftës ishte qendër ku kalitej dhe çelikosej e ardhmja e shëndoshë e Kosovës. Beteja e Jeshkovës, është njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së, që u zhvilluan në regjionin e Prizrenit, me ç‘rast pas një lufte të pabarabartë në altarin e lirisë ranë 18 dëshmorë të kombit.
Shënimi i 11 marsit, këtë vit përmes shkollës që e mban emrin e kësaj date historike është edhe një dëshmi tjetër se ne i respektojmë jo vetëm dëshmorët e kombit, por edhe datat e rëndësishme të luftës falë së cilës luftë arritëm pavarsinë e Kosovës. Gjeneratat e reja e në veçanti nxënësit e Shkollës që e mban emrin e kësaj date kanë obligim më shumë në të ardhmën, që ta ruajnë dhe ta nderojnë këtë datë dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve me suksese më të mira në shkollë.
Këtë vit me vetfinancim të shkollës është ngritur lapidari për këta dëshmorë, ndërsa në të ardhmën sukseset t’uaja do të jenë krenari edhe për pruindërit dhe familjarët e dëshmorëve, emrat e të cilëve janë të skalitur në këtë lapidar.
Andaj, për fund ua uroj nxnësve dhe mësimdhënësve urime ditën e shkollës, duke mos e harraur gjakun e dëshmorëve, i cili na obligon që jo vetëm t’u përkulemi gjakut dhe veprës, por edhe ta shpiem parpara amanetin e tyre. Dhe ky obligim është i juaji që të punoni më shumë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për tëë gjithë dëshmorët e kombit!
Nxënësit dëshmorë të SHML Teknike ,,11 Marsi”
Asret Poniku (1964 – 1998)
Agim Shala (1975 – 1998)
Avdi Shala (1949 – 1998)
Bashkim Suka (1979 – 1999)
Besim Shala (1963 – 1998)
Besnik Muqaj (1972 – 1999)
Brahim Osmanaj (1977 – 1998)
Driton Ferati (1973 – 1999)
Enver buqaj (1975 – 1999)
Faik Hoxha (1968 – 1999)
Feriz Susuri (1969 – 1999)
Gani Sarramati (1968 – 1999)
Jonuz Krasniqi (1971 – 1999)
Selver Maqkaj (1967 – 1999)
Skender Latifi (1970 -1999)
Ismail Kryeziu (1965 – 1999)
Dëshmorët e Betejës së Jeshkovës më 11 mars 1999
Alajdin Xhezairi (1974 – 1999)
Bajram Shala (1976 – 1999)
Bashkim Suka (1979 – 1999)
Besnik Kastrati (1969 – 1999)
Feriz Susuri (1969 – 1999)
Hajdar Shala (1969 – 1999)
Hamit Thaqi (1970 – 1999)
Hysen Rexhepi (1973 – 1999)
Ilmi Shala (1974 – 1999)
Liman Shala (1978 – 1999)
Rexhep Buduri (1971 – 1999)
Musli Gashi (1980 – 1999)
Nuredin Shala (1971 _ 1999)
Shahadin Gashi (1962 – 1999)
Skender Latifi (1970 -1999)
Tahir Gashi (1977 – 1999)
Ymer Shala (1960 – 1999)
Ymredin Qengaj (1959 – 1999)