Republika e Kosoves

Prizren

Përmes reformave në administratë ofrojmë shërbime efikase të shpejta dhe cilësore

2020/01/29 - 10:43

Me qëllim të përmirësimit dhe thjeshtimit të procedurave administrative për qytetarë dhe biznese, Komuna e Prizrenit në bashkëpunim të ngushtë me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (International Finance Corporation – IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, po angazhohet në eleminimin e procedurave administrative të panevojshme dhe pa bazë ligjore, përshpejtimin e procedurave, uljen e kostove të tyre, si dhe evitimin e kërkesave për dokumente të panevojshme.

Projekti “Klima e Investimeve në Kosovë” i cili ka filluar të implementohet nga nëntori i vitit 2018, kur është nënshkruar kontrata e marrëveshjes nga kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka dhe drejtori rajonal i IFC-së, z. Thomas Lubeck, po financohet nga ana e Qeverisë Zvicerane.
Në këtë drejtim fillimisht janë identifikuar 161 procedura administrative, për të cilat është bërë analiza ligjore dhe ekonomike, në mënyrë që më pas të jepen rekomandimet për thjeshtimin e tyre. Të gjeturat kryesore janë prezentuar para kryetarit Haskuka dhe drejtorëve të Komunës së Prizrenit në raportin e titulluar “Analiza e Procedurave Administrative”, i cili u ndoq nga takime të shumta ku bashkërisht u diskutuan dhe u shqyrtuan miratimet e rekomandimeve për thjeshtim të procedurave.

Si rezultat i këtyre aktiviteteve, deri më tani Komuna e Prizrenit ka bërë dy ndryshime me vlerë të madhe në drejtim të thjeshtimit të procedurave administrative.

Së pari, Komuna e Prizrenit, nëpërmjet Drejtorisë së Administratës, që nga Gushti i vitit 2019 ka filluar të praktikojë që në procedurën e nxjerrjes së dokumenteve të gjendjes civile, (p.sh. ekstraktin dhe certifikatën e lindjes) t’i kërkohet aplikuesit letërnjoftimi vetëm për verifikim (shikim) e jo edhe në formë fizike të fotokopjuar, pasi që të dhënat e aplikuesit gjenden edhe në sistem dhe nuk ka nevojë të ketë fotokopje. Me ndryshimet e bëra, për çdo dokument, qytetari arrin t’i kursejë 0.20 euro si dhe minimumi rreth 15 minuta kohë pasi qytetarit i duhet që ta lë rradhën e pritjes në mënyrë që të dalë jashtë objektit komunal për ta fotokopjuar letërnjoftimin dhe të kthehet përsëri në rradhë. Në analizat e bëra nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), gjatë vitit 2018 nga gjithsej 202,150 aplikime për nxjerrjen e dokumenteve të Gjendjes Civile, vetëm kërkesa për të sjellë fotokopjet e letërnjoftimeve u ka kushtuar aplikuesve 154,139 euro, gjë që tani do të kursehet nga qytetarët e komunës.

Së dyti, me miratimin e Rregullores së re për taksa, tarifa, ngarkesa dhe gjoba nga shërbimet dhe veprimtaritë komunale, Komuna e Prizrenit ka ulur dukshëm numrin e bizneseve që paguajnë taksën vjetore të veprimtarisë komunale, përkatësisht nga 4,316 në 221 biznese. Si rrjedhojë, bizneset kursejnë rreth 610,847 euro për një vit.

Në kuadër të këtij projekti parashihet gjithashtu edhe krijimi i regjistrit elektronik të procedurave administrative të Komunës së Prizrenit, i cili do të publikohet në faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit. Regjistri elektronik do të përcaktojë saktë dhe qartë të dhënat mbi bazën ligjore të procedurave, taksat/tarifat/pagesat, dokumentacionin e kërkuar për çdo procedurë administrative, si dhe afatin (ligjor) të kërkuar për t’i ofruar palës përgjigje. Publikimi i regjistrit elektronik të procedurave rrit transparencën e aktiviteteve të administrates Komunale dhe u mundëson qytetarëve dhe bizneseve qasje më efikase në informata kyçe lidhur me procedurat administrative.

Njëkohësisht gjatë këtij viti komuna do të shqyrtojë mundësinë e thjeshtimit të mëtejshëm të procedurave administrative gjatë krijimit të “One-stop Shop” (qendrës së integruar me një ndalesë).