2010/09/16 - 12:00
Kryetari i komunës prof.dr. Ramadan Muja bëri homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Landovicë, përuroi dy shkolla të reja në fshatrat Nashec dhe Kojush, përuroi rrugën “Tirana” me 4 korsi dhe në mbrëmje organizoi akademi solemne për nderë të dëshmorëve të komunës sonë.
Të nderuar familjarë të dëshmorëve, të nderuar invalidë dhe veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nderuar përfaqësues të Policisë së Kosovës, të nderuar përfaqësues të partive politike e përfaqësues të klerit fetar dhe ju të nderuar të pranishëm, në këtë akademi solemne që organizohet me rastin e Ditës së Dëshmorëve të UÇK-së për komunën tonë.
Sot jemi mbledhur këtu që ta nderojmë luftën e lavdishme të UÇK-së dhe t’i nderojmë të gjithë dëshmorët e Komunës së Prizrenit, të cilët u radhitën në altarin e lirisë, duke u shndërruar gurthemel i Pavarësisë së Kosovës dhe thesar i brezave, që u bë dëshmi para botës se gjaku dhe sakrifica triumfojnë para çdo sfide siç ishte GJND-ja dhe Mbledhja e OKB-së. Pas këtyre fitoreve të mëdha për Kosovën, brenda këtij viti, që janë gjithsesi fitore dhe atribute të luftës së drejtë të UÇK-së dhe të sakrificës së dëshmorëve, që sot po i përkujtojmë me të drejtë nesër presim që të na njohin edhe më shumë shtete.
Të nderuar të pranishëm, Dëshmorët e Kombit, kur vendosën t’i rrokin armët, nuk bënë llogari për jetën e tyre, sepse ata e panë ardhmërinë përtej çdo sakrifice dhe e bënë këtë realitet me flijimin e tyre. Andaj, institucioneve qendrore dhe lokale, na mbetet që pos t’i kemi udhërrëfyes dhe të kujdesemi për familjet e tyre dhe t’i qojmë në vend idealet e tyre.
Unë sot mund të them se jam më i lumtur se asnjëherë më parë prej se jam kryetar i Komunës së Prizrenit, sepse në këtë ditë të shënuar për qytetin tonë kemi bërë përurimin e dy shkollave, përurimin e disa rrugëve, që do të thotë se Dita e dëshmorëve të kombit për Prizrenin në të ardhmen do të jetë ditë feste, ditë kur do t’i numërojmë sukseset dhe të arriturat tona të përbashkëta. Gjithashtu në këtë ditë të shënuar në kemi ndarë 40 bursa për fëmijët e dëshmorëve nxënës të shkollave të mesme dhe kjo traditë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse familjet e dëshmorëve meritojnë edhe më shumë se kaq.
15 shtatori – Dita e Dëshmorëve të U{K-së për Komunën e Prizrenit përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë dhe ne sot patëm rastin t’i shohim varrezat e rregulluara të dëshmorëve në Landovicë, që u rivarrosën vitin e kaluar, ndërsa brenda një kohe të shkurtër do të rregullohen edhe varrezat e dëshmorëve që janë të varrosur nëpër lokalitete tjera të komunës sonë. Por, me këtë rast dua ta bëj publike edhe hapësirën e varrezave të njerëzve me merita të larta, që do të jetë në kudër të kompleksit të varrezave të dëshmorëve në Landovicë e që shumë shpejtë do të rivarrosen luftëtarët e lirisë, të cilët vdiqën pas çlirimit si pasojë e plagëve të marra gjatë luftës.
Komuna e Prizrenit këtë vit ka nderin që të krenohet me institucionet e vendit, sepse sakrifica e dëshmorëve të kësaj komune po bëhet gjithnjë e më shumë e pranishme në institucionet tona. Kështu më 15 gusht të këtij viti u dekorua HERO I KOSOVËS themeluesi dhe strategu i shtrirjes së UÇK-së në Zonën e Operative të Pashtrikut, Remzi Ademaj- komandant Petriti e në një të ardhme do të dekorohen edhe dëshmorët tjerë.
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie, i bindur se me fjalë nuk mund të përshkruhet vepra e dëshmorëve, të cilët u flijuan dhe sakrifikuan për lirinë për sukseset që po i përjetojmë ne, në fund dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që gjaku i dëshmorëve të kombit, të bëhet faktor i unitetit politik e kombëtar, për të sotmen dhe të ardhmen më të ndritur të gjeneratave që po vijnë.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit