Republika e Kosoves

Prizren

Komuna organizon manifestimin “Java e Remzi Ademajt – Shtigjet e lirisë 2013”.

2013/06/04 - 12:00

Angazhimi juaj është dëshmia më e mirë, se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, falë së cilës ne sot po angazhohemi që ta ndërtojmë shtetin më të ri të botës. Njohjet e njëqind shteteve, janë edhe një dëshmi tjetër se lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e kanë të kotë të gjithë ata që mundohen ta njollosin luftën tonë të drejtë. Andaj, kemi besim në drejtësi se të gjithë luftëtarët që po ndiqen, e po burgosen ashtu siç kanë ditur në luftë ta tregojnë vetin, edhe para drejtësisë do të dëshmojnë se janë të pafajshëm dhe se lufta e tyre ka qenë e drejtë.
 
Ju të nderuar nxënës, jeni shpresa e qytetit tonë, jeni ardhmëria dhe guximi ynë. Jo vetëm unë si kryetar i komunës, por të gjithë qytetarët e Prizrenit, kur janë para jush marrin energji të reja për të punuar dhe për të ecur përpara, sepse entuziazmi juaj për t’i nderuar ata që na sollën lirinë dhe që po bëhen frymëzim për ju, na bëjnë që edhe ne të punojmë më shumë dhe ta shtojmë kujdesin e përkrahjen për të krijuar kushte më të mira për nxënës, duke ndërtuar për secilin vit shkolla të reja .
 
Të dashur nxënës garues, meqë sot është dita e parë e këtij manifestimi, ju uroj suksese që garat të jenë sa më të suksesshme, sepse vetëm përmes dijes mund ta dëshmoni se jeni duke e respektuar veprën e atyre që ranë për lirinë.
Manifestimi “Java e Remzi Ademjat- shtigjeve të lirisë” që këtë vit po mbahet për të 12-tën herë, është viti i gjashtët që po mbahet nën organizimin institucional dhe u premtoj se edhe në të ardhmen ky manifestim do të përkrahet nga komuna, sepse është në shërbim të dijes, në shërbim të ruajtjes së vlerave të luftës dhe rritjes së vlerave të dijes.
 
Në këtë manifestim të sotëm janë bashkërisht nxënësit e të gjitha komuniteteve, çka do të thotë se bashkërisht jemi më të përgatitur për suksese të reja, për çka e përgëzoj Këshillin Organizativ të këtij Manifestimi dhe Drejtorinë e Arsimit.
 
Suksesi juaj në këto gara do të jetë sukses edhe për ne, për shkollat, që i përfaqësoni dhe për Drejtorinë e Arsimit, sepse 1500 finalist, që sot po i fillojnë garat, do të thotë punë dhe angazhim shtesë, andaj uroj që ju të jeni krenaria e qytetit tonë.
 
Për fund edhe një herë urime për të gjithë nxënësit garues dhe dëshiroj që kjo javë e këtij aktiviteti të jetë javë e angazhimeve tuaja.
 
Urime dhe suksese edhe një herë për të gjithë nxënësit pjesëmarrës.
 
Faleminderit!