2012/12/12 - 12:00
Sot me datën 06.12.2012 Kryetari i Komunës Prof. Dr. Ramadan Muja, Drejtori i DTZHE, Samir Hoxha dhe bashkëpunëtorët, ishin në vizitë në këtë vend punim ku nga afër inspektuan punimet dhe u njoftuan më hollësisht rreth realizimit të këtij projekti shumë me rëndësi për zhvillimin ekonomik të komunës së Prizrenit.
Fillimisht rreth realizimit të këtij projekti, kryetarin Muja e njoftoi mbikëqyrësja e projektit znj. Hatixhe Përzhella duke folur për realizimin e punimeve deri në këtë fazë ku OE “I-Seferi” ka vendosur: rrjetin e kanalizimit fekal me gjatësi prej 400m, rrjetin e kanalizimit atmosferik me gjatësi prej 850m, rrjetin e instalimeve elektrike me gjatësi prej 400m si dhe ka kryer nivelizimin e shtresave të tamponit të rrugës dhe ka vendosur skajoret përgjatë rrugës.
Ky projekt deri në përfundimin e punëve të fazës së parë kushton 84.853.60euro.
Kryetari Muja uroi për përkushtimin e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në realizimin e projektit në fjalë duke cekur edhe rëndësinë e “Parkut të Biznesit” për zhvillimin e ekonomisë së vogël dhe të mesme, si ato të biznesit për prodhimtari industriale, prodhime zejtare, shërbime të ndryshme, hotele dhe veprimtarit tjera gjithnjë me përkujdesje të krijimit të një ambienti të shëndoshë dhe kushte maksimale për zhvillimin ekonomik të vendit.
Më pas Drejtori i DTZHE, Samir Hoxha njoftoi të pranishmit se ky projekt do të vazhdojë edhe me fazat tjera dhe që është projekti më prioritar i drejtorisë për vitin 2013.
Hapësira e dedikuar për “Parkun e Biznesit” është në largësi vetëm 5 km nga qyteti i Prizrenit në drejtim të Prishtinës që shtrihet në boshtin rrugor Lubizhdë-Korishë, sipas drejtorit Hoxha, ka të aktivizuar kompleksin më të madh të tokës e cila është në pronësi të komunës dhe që me siguri se kjo zonë urbane do të jetë e integruar, e sigurt dhe funksionale.