Republika e Kosoves

Prizren

Nxënësit e fshatit Nashec nga ky vit shkollor do të vijojnë mësimet në objekt të ri dhe modern shkollor.

2010/09/16 - 12:00

Kryetari i komunës prof.dr. Ramadan Muja, uroj të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetaret e këtij fshati me rastin e përurimit të këtij objekti shkollor dhe mbajti një fjalë rasti:
 
Të investosh në ndërtimin e një shkolle do të thotë të investosh  në rininë e një vendi. T’ua sigurosh nxënësve mësimin në një ndërrim do të thotë të ecësh një hap para kohe dhe jam shumë i lumtur që me ndërtimin e kësaj shkolle po nisim një etapë të re të qëllimeve tona për një arsimim më të avancuar, vetëm me një ndërrim, që është synim i ynë në të ardhmen.
 
Të dashur nxënës, në ditën kur e vumë gurthemelin e kësaj shkolle u pata thënë se kjo shkollë do të jetë shembull për shumë shkolla jo vetëm të komunës sonë, por edhe më gjerë dhe vërtetë sot po bindem se paskam pas të drejtë, andaj më lejoni që t’ua uroj këtë godinë të re, e gëzofshi dhe këtë gëzim e arsyetofshi me suksese dhe rezultate sa më të mira.
 
Përurimi i kësaj shkolle në këtë ditë të shënuar ka edhe një simbolikë tjetër, sepse kjo shkollë po përurohet në Ditën e Dëshmorëve të UÇK-së për komunën tonë, nga se shumë afër kësaj shkolle 12 vjet më parë ra në altarin e lirisë Heroi i Kosovës  Remzi Ademaj- komandant  Petriti.
 
Të dashur banorë të Nashecit, Grazhdanikut dhe të Atmaxhës, kjo shkollë është investim i Komunës së Prizrenit në vlerë prej 1 milon e 29 mijë €  (1.029000 €) dhe është shkollë me standarde evropiane, me nxehje qendrore dhe dhoma të mjaftueshme mësime dhe për kabinete, pra me gjithsej 3000 metra katror. Por, kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të investojmë edhe në rregullimin e terrenit sportiv dhe të oborrit të shkollës.
 
Të nderuar të pranishëm, shumë të dashur nxënës dhe mësimdhënës, për fund duke ua uruar edhe një herë këtë shkollë kërkoj që me dije t’i arsyetojmë investimet tona. Andaj, i porosis nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, që ta ruani e të mos dëmtohet ky tempull i diturisë,  që është e juaja dhe juve do t’u shërbejë.
 
Urime dhe e gëzofshi shkollën e re.