2012/12/12 - 12:00
Përurimi i këtyre materialeve është bërë të martën në objektin e Beledijes, me ç’rast autoritetet komunale kanë theksuar se përmes promovimit të turizmit dëshirojnë që ti japin shtytje të mëtutjeshme zhvillimit ekonomik lokal.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja ka bërë të ditur se Prizreni po etablohet si qytet i kulturës dhe monumenteve historike dhe se këto tri materiale promovuese vijnë si nevojë e kohës për ti dal në ndihmë turistëve.
"Prizreni e ka ruajtur karakterin me shekuj që nga kohë e parahistorisë, ndërtimet iliro-dardane e këndej dhe me investimet në shenjëzimin dhe promovimin e monumenteve kulturore historike synojmë që ato t’i vëmë në shërbim të vizitorëve dhe turistëve, që tani e tutje kanë guidat përkatëse dhe hartën për orientim. Vlera e qytetit të Prizrenit rritet me angazhime të tilla që zhvillojnë turizmin dhe ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal", ka thënë Muja.
Drejtori i DTZHE-së, Samir Hoxha ka bërë të ditur se botimi i këtyre materialeve ka ardhë si nevojë e punës së përditshme Info qendrës turistike dhe se ato do të shpërndahen falas përgjatë tërë vitit për të gjithë turistët që vizitojnë Prizrenin.