Republika e Kosoves

Prizren

Rendi dhe ligji do respektohen në gjithë territorin e komunës

2019/07/20 - 5:22

Drejtoria e Inspektorateve sot ka zhvilluar aksionin për rrënimin e pjesës pa leje të objektit të qendrës tregtare, në rrugën “Tirana”.
Aksioni i nisur rreth orës 10:00, ka zgjatur gjatë tërë ditës për shkak të presioneve dhe pengesave të vazhdueshme për ndalim të punimeve.
Inspektorati ka pasur aksion për rrënimin e objektit të njëjtë edhe në muajin gusht të vitit të kaluar, kur objekti ka qenë në ndërtim e sipër. Por pas ndërhyrjes, me vendim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Inspektorati është detyruar të mos merr asnjë veprim derisa të bëhet revidimi i lejes nga ana e investitorit. Por pasi që investitori përsëri nuk ka mundur të pajiset me leje për shkak se në atë zonë është paraparë plani rregullues i hollësishëm, dhe në të njëjtën kohë kanë vazhduar punimet në mënyrë ilegale për ndërtim të objektit, Inspektorati është obliguar të rimerr vendimin për rrënim.
Vendim për rrënimin e sotëm të objektit është marrë nga Drejtoria e Inspektorateve dhe për këtë është njoftuar dhe është kërkuar me shkresë zyrtare asistimi edhe nga ana e Policisë. Gjithashtu prezentë gjatë aksionit të sotëm kanë qenë edhe përfaqësuesit e mediave, të cilët kanë dëshmuar në disa raste pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare.
Komuna Prizrenit është e vendosur ta zbatojë rendin dhe ligjin në gjithë territorin e komunës, pa përjashtim.