Pozita regjionale-gjeografike e Prizrenit më së miri mund të shqyrtohet me analizimin e pozitës së tij në relacion me Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit dhe Rrafshin e Lumbardhit. Kosova përbëhet prej fushave të Kosovës dhe Dukagjinit.
Ato janë të rrethuara pothuajse nga të gjitha anët me bjeshkë të larta dhe paraqesin një tërësi të ndarë qartas. Fushat e Kosovës dhe Dukagjinit janë në pjesën e mesme të gadishullit Ballkanik. Kosova dhe rrethi i Prizrenit ka karakter transit ndërmjet regjioneve Panonike dhe Pontike në njërën anë, dhe të regjionit të Egjeut-Adriatikut nga ana tjetër.
Këto lidhje transite mundësuan fushat, rrafshet e lumenjve dhe kalimet ndërmjet tyre në të cilat si lidhje natyrore të lëvizjes së lehtë ishin dhe janë rrugët e komunikacionit. Komuna e Prizrenit në veri kufizohet me komunat e Suharekës dhe Rahovecit, në jug me komunën e Dragashit, në lindje me komunën e Shtërpcës dhe në perëndim me kufirin e Republikës së Shqipërisë.
Prizreni gjendet jashtë rrjetës së rrugëve magjistrale të Evropës. Nëpër territorin e saj kalojnë rrugët e rëndësishme të komunikacionit. Afërsia e kufirit dhe lidhjet e pandërtuara të komunikacionit me Shqipërinë si dhe malet e larta të cilat e rrethojnë Prizrenin nga të gjitha anët, kanë pas ndikim jo të favorshëm në zhvillimin e këtij regjioni.
Mirëpo, predispozitat natyrore i japin mundësi të favorshme për lidhjen me regjionet fqinje më të largëta, ndërsa me formimin e lidhjeve kualitative, Prizreni do të ketë një pozitë dukshëm më të mirë si për rrjedhat turistike dhe të mallrave, ashtu edhe një lidhje më efikase në integrimin në hapësirat më të gjëra të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, regjioneve tjera kufitare dhe të Evropës.
Kushtet historike në periudhat e mëhershme, pozita relativisht jo e mirë në raport me qendrat kryesore të komunikacionit dhe të konsumit, gjithashtu hapja jo e mjaftueshme kah regjionet fqinje, Shqipërisë, Malit të zi, Maqedonisë, kanë bërë që Prizreni nuk i ka shfrytëzuar në mënyrë të mjaftueshme përparësitë që i ka nga përbërja pedologjike e tokës, kushtet klimatike të klimës mesdhetare dhe kushtet hidrologjike për zhvillimin e bujqësisë dhe kushtet natyrore për zhvillimin e aktiviteteve turistike dhe rekreative. E gjithë kjo ka ndikim në strukturën ekonomike të Prizrenit.
Profili fizik jep shenja që hapja e lidhjeve të komunikacionit me këto regjione fqinje është një nga qëllimet kryesore në strategjinë e zhvillimit.