Republika e Kosoves

Gllogoc

Mbahet mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB)

2020/02/12 - 6:43

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e parë  të rregullt për këtë vit të cilën e kryesoi nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi.

Të pranishëm ishin shumica e anëtarëve e KKSB-së, monitorues nga OSBE-ja dhe përfaqësues nga KFOR-LMTK15.

Pikat e rendit të ditës të cilat u diskutuan ishin:

  1. Procesverbali i mbledhjes së rregullt të KKSB-së të mbajtur më 18.12.2019;
  2. Draft plani i punës së KKSB-së për punën e vitit 2020;
  3. Draft orari i punës së KKSB-së për vitin 2020;
  4. Diskutim lidhur me dukuritë negative në shkolla dhe për mundësitë e vendosjes së kamerave të sigurisë;
  5. Diskutim lidhur me kërkesën e Qendrës për Hulumtime dhe Politika të Sigurisë (SPRC) për bashkëpunim;
  6. Të ndryshme.

Pika e parë, e dytë dhe e tretë u aprovuan unanimisht.

Për pikën e katërt,  u kërkua që të  krijohen mundësitë për mbajtjen e orëve të kujdestarisë dhe  se  pas sqarimeve të Drejtoreshës së DShPE-së, Lumnije Krapi, konkluzioni ishte se justifikimet për mos mbajtje të lidhura me çështje të transportit nuk qëndrojnë. Megjithatë, u dakordua që të bëhet një koordinim më i mirë  i akterëve  duke përfshirë edhe Drejtorinë e Inspeksionit.

Në mbledhje u kërkua edhe angazhim më i madh i pedagogut dhe psikologut të shkollës si dhe që DKA  të bëjë kërkesë MAShT-it që ora e kujdestarisë në shkolla të bëhen obligative. Përfaqësuesit e policisë deklaruan se  policia është e pranishme në afërsi të shkollave  dhe se veprojnë në respekt të autoritetit të shkollave.  Nënkryetari Nazmi Hasi, Drejtori i DKA-së,  dhe Arben Nika, përfaqësues nga EVSB,  sqaruan për të pranishmit se për momentin një Komision është duke hartuar një rregullore për organizimin e punës në institucionet edukative-arsimore dhe  kjo do të ndihmojë në përmirësimin e situatës në shkolla.

Muhamet Gjoka, Drejtor i Arsimit në Komunën e Drenasit, i njoftoi të pranishmit me përpjekjet nga kjo drejtori për sigurimin e kamerave për disa nga shkollat e Drenasit.

Në mbledhje u theksua edhe  mungesa e një mediumi lokal  përmes të cilit do të promovohej edhe puna e KKSB-së dhe do t’i përcillte aktivitetet tjera rinore dhe kulturore.

Pika e pestë, kërkesa e Qendrës për Hulumtime dhe Politika të Sigurisë (SPRC) u aprovua për mbledhjen e radhës më 15 prill.

Për pikën e gjashtë  nuk pati diskutime.