Republika e Kosoves

Gllogoc

Mbahet takimi i KLSP-ve me Sektorët 2 dhe 3

2018/07/19 - 1:40

Pas zgjedhjes së Këshillave të fshatrave të komunës së Drenasit, në Komoran u mbajt mbledhja e KLSP-së. Në këtë mbledhje morën pjesë: Nënkryetari i Komunës, Gani Sylaj, nga Policia e Kosovës-Dega në Drenas, Togeri Liman Tahiri, rreshteri Mehmet Cakiqi dhe rreshteri Bajram Selimi, nga kryetarët e këshillave të fshatrave ishin të pranishëm: Zenel Hyseni, Halit Shala, Skënder Bogiqi, Halit Bytyqi, Gazmend Hajdini, Fadil Ismaili, Blerim Sinani, Lavdim Plakaj dhe Ymri Bajraktari.

Nënkryetri Sylaj i përshëndeti të pranishmit dhe ju uroi zgjedhjen kryetarëve të këshillave të fshatrave dhe theksoi se besimi që u është dhënë atyre duhet të përmbushet me punë të palodhshme në shërbim të qytetarëve.

Toger Liman Tahiri lexoj raportin gjashtëmujor të punës së Policisë në Drenas duke bërë krahasimin me vitin e kaluar. Ai paraqiti nevojën e krijimit të KLSP-së në këtë rajon dhe i njoftoi të pranishmit për procedurat për zgjedhjen e kryesisë dhe anëtarëve të saj. Edhe rreshter Bajram Selimi foli për disa angazhimin e policisë për siguri më të lartë në komunën e Drenasit.

Kryetarët e këshillave shfaqën shqetësimin për disa çështje të cilat i  brengosin qytetarët dhe që janë rrezik për ta si p.sh: disa puseta (vende ku më parë është marrë material guri, tani ato kanë mbetur të hapura dhe të pa siguruara përreth, që janë një rrezik i përhershëm për qytetarët), po ashtu qentë endacak paraqesin një rrezik  të vazhdueshëm. Diku-diku ka pasur vjedhje dhe janë vërejtur lëvizje të keqbërësve në orët e vona të natës po ashtu tani, në kohë e pushimeve, kur trafiku është i ngarkuar vërehen lëvizje të shpejta të makinave nga shoferë të papërgjegjshëm, të cilët po e rrezikojnë jetën në trafik si dhe dukuri të tjera.

Në këtë takim u theksua se ka nevojë për një përgjegjësi më të madhe të policisë dhe prezencë të shtuar të tyre, për një bashkëpunim më të madh në mes të disa prej drejtorive të komunës dhe këshillave të fshatrave, për bashkëpunimin më të madh të qytetarëve me policinë dhe për lajmërimin me kohë për veprimet e dyshimta dhe të keqbërëseve nëpër vendbanime, në mënyrë që të parandalohen disa nga dukuritë e dëmshme që po i dëmtojnë dhe shqetësojnë qytetarët.

Nënkryetari Sylaj theksoj për nevojën e bashkëpunimit edhe më të madhe, të shumëfishtë dhe të shumanshëm të anëtarëve të këtij këshilli, që të gjithë së bashku të kontribuojmë në mirëqenien e qytetarëve dhe në sigurinë e tyre. Organet përkatëse të Komunës në çdo kohë do të jenë përkrahë jush dhe me kohë do t’u përgjigjen kërkesave tuaja.