Republika e Kosoves

Gllogoc

Përkujtohen dëshmorët e martirët në Tërsteunik dhe Negroc, Lladrovci: Kosova jonë e çliruar ata i bën të paharrueshëm

2024/04/12 - 8:57

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, mori pjesë në homazhe dhe vendosi kurora me lule në Tërstenik dhe në Negroc, në përvjetorin e rënies për liri të dëshmorëve dhe martirëve të kësaj ane.
Në Negroc, Lladrovci mbajti fjalë rasti, ku theksoi se “dëshmorët dhe martirët tanë u bënë një me lirinë e shtetin tonë, duke u gjendur në themelet e tij. Prandaj Kosova jonë e çliruar ata i bën të paharrueshëm, i bën të pavdekshëm”.
Postimi i kryetar Lladrovcit në fb:
Me rastin e shënimit të përvjetorit të 16 dëshmorëve e 18 martirëve në Tërstenik, me bashkëpunëtorë, kemi bërë homazhe dhe vendosem kurora me lule, te Memoriali pranë “Lisave Binak”.
Më pastaj, kemi bërë homazhe dhe vendosëm kurora me lule pranë Memorialit “Pëllumbat e Lirisë”, në Negroc edhe me familjarë të dëshmorëve, invalidë e ish ushtarë të UÇK-së dhe qytetarë, morëm pjesë në tubimin përkujtimor për 22 dëshmorët dhe 36 martirët e kësaj ane në oborrin e shkollës.
Në tubimin përkujtimor, mbajta këtë fjalë rasti:
Të nderuara familje të dëshmorëve dhe martirëve të kombit,
Invalidë, veteranë dhe ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuara familje Krasniqi, Veseli, Selimi, Shala,
Të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinj,
Para 25 e 26 vitesh, Llapushniku, Arllati, Negrovci, Vuçaki, Patërku, Bytyçi, e Gjergjica, këto çerdhe qëndrese, u gjendën në tehun e sulmeve të okupatorëve serbë.
Këto anë u gjenden vazhdimisht nën sulmet e ashpra hakmarrëse të pushtetit që po ikte përgjithmonë.
Deri sa UÇK-ja fuqizohej, bombardimet e aleatëve të NATO-s vazhdonin me intensitet të madh, ushtria kriminale hakmerrej pa mëshirë. Nga pafuqia e vet, ata hakmerreshin ndaj popullatës civile, madje edhe ndaj foshnjave të porsalindura. Kjo ishte fytyra e vërtetë e atij okupatori.
Sot po kujtojmë dhe nderojmë jetën e veprën e 22 dëshmorëve dhe 36 martirëve të fshatrave Negroc, Arllat, Gjurgjicë, Vuçak me rrethinë, të cilët pushojnë në kompleksin memorial “Pëllumbat e Lirisë”.
Është kjo zonë me veprimtarë dhe heronj të luftës e paqes, të cilët me penë e me pushkë, u ballafaquan me armikun, nderojmë këtu Jakup Krasniqin, Shaban Shalën, Bedri e Elmi Shalën dhe shumë dëshmorë e martirë të kombit. Në këtë anë, Familja e Jakupit dhe Shabanit, e strehuan më 1992 komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.
Memoriali “Pëllumbat e lirisë”, është kujtim e nderim për jetën e dëshmorëve e martirëve tanë, të cilët u gjenden përball makinerisë vrastare serbe. Ata u bënë dëshmitar se si u farkua liria, se sa e çmuar e sa me vlerë është liria.
Dëshmorët dhe martirët tanë u bënë një me lirinë e shtetin tonë, duke u gjendur në themelet e tij. Prandaj Kosova jonë e çliruar ata i bën të paharrueshëm, i bën të pavdekshëm.
Edhe ky përvjetor, na gjen pa praninë fizike të liderëve tanë të luftës e paqes, pranë Memorialit “Pëllumbat e lirisë”, nuk janë këtu, Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe të tjerët. Por, ne besojmë fort në pafajësinë e tyre. Ne besojmë fort, në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare.
Sot e gjithmonë, ndjejmë fuqishëm detyrimin tonë ndaj amanetit të dëshmorëve dhe martirëve, për fuqizimin e Republikës tonë, për idealin e tyre për shtet të përparuar e me mirëqenie, shtet të lirë e me barazi para ligjit.
Sot e gjithmonë, duke u përkulur me nderim, kujtojmë veprimtarinë atdhetare shekullore për çlirim, përkushtimin atdhetar të “Pëllumbave të lirisë”, këtu në Negroc, kujtojmë e nderojmë jetën e veprën e mijëra dëshmorëve e martirëve gjithandej atdheut tonë.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit !
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Faleminderit!