Republika e Kosoves

Malishevë

Gara memoriale në not “Esmir Shala” mblodhi notarë nga mbarë Kosova

2024/08/16 - 1:29

Sot, në pishinat natyrale në Banjë të Malishevës, u zhvillua gara memoriale në not “Esmir Shala”, një ngjarje e rëndësishme sportive e organizuar nga Federata e Notit të Kosovës, Klubi i Notit “Besa” dhe Komuna e Malishevës. Kjo garë, e cila filloi të mbahet që nga viti 2015, është një homazh për notarin dhe kampionin Esmir Shala, i cili u nda nga jeta në moshë të re, në kulmin e karrierës së tij.

Gara u hap nga shefja e kabinetit të kryetarit të Komunës së Malishevës, Blerta Krasniqi, e cila në emër të kryetarit Ekrem Kastrati, përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e kësaj gare në ruajtjen e kujtimit të një kampioni si Esmir Shala. Ajo theksoi se “kampionët e mëdhenj si Esmiri, gjithmonë mbesin të gjallë, e këtë e dëshmon më së miri kjo garë e notit, që mban emrin Esmir Shala”.

Në garë morën pjesë 14 klube të notit nga e gjithë Kosova, me mbi 100 garues që garuan në kategori të ndryshme. Në përfundim të garave, fituesit u nderuan me medalje për secilën kategori. Në konkurrencën ekipore, në kategorinë e femrave, vendin e parë e zuri ekipi “Step”, vendin e dytë “Ilirida”, dhe të tretin “Prizreni”. Ndërsa, në konkurrencën e meshkujve, vendin e parë e fitoi ekipi “Besa”, të dytin “Step”, dhe vendin e tretë “Zenit”.