2024/09/13 - 9:45
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe drejtori ekzekutiv i “Teach For Kosova”, Egzon Gashi, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për implementimin e projektit të kësaj organizate, që synon promovimin e mendimit kritik dhe qytetarisë aktive te të rinjtë.
Ky program do të zhvillohet në dy shkolla të mesme të Malishevës: “Kujtim Krasniqi” dhe “Lasgush Poradeci”. Aktivitetet e programit përfshijnë krijimin e grupeve edukativ-arsimore dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme me nxënësit.
Komuna e Malishevës do të ofrojë mbështetje për realizimin e këtij programi, ndërsa komunikimi për implementimin e marrëveshjes do të koordinohet nga shefi i drejtorisë së arsimit në Malishevë, Sabit Berisha, dhe menaxherja e projektit të “Teach For Kosova”, Valmira Morina.