2024/03/19 - 4:40
Sot në Malishevë, me rastin e përkujtimit të betejës së Grapit të Llapçevës dhe rënies së luftëtarëve të “Besëlidhjes Shqiptare”, të Partisë Nacional Demokratike Shqiptare (PNDSH), nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, u mbajt një Akademi Përkujtimore dhe më pas u bënë edhe homazhe e nderime pranë përmendores për këta luftëtarë.
Në fjalën e rastit, i pari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se “populli ynë u nëpërkëmb në të gjitha etapat e historisë, por përpjekjet titanike bën që të ruajmë identitetin kombëtar dhe të mbijetojmë në të gjitha këto sfida”. Më pas, kryetari Kastrati foli për rëndësinë e kësaj beteje të zhvilluar në mars të vitit 1946 dhe përpjekjet kombëtare për liri dhe bashkim të trojeve shqiptare, dhe se kjo betejë i dëshmon më së miri këto përpjekje. “Të gjitha përpjekjet në të gjithë historinë tonë, u finalizuan me luftën e lavdishme të UÇK-së”, tha kryetari Kastrati, i cili shprehi mirënjohjen dhe respektin për të gjithë të rënët.
Më pas, një kumtesë për ngjarjen e paraqiti historiani Asllan Krasniqi, i cili në mënyrë kronologjike e përshkroi atë pjesë të historisë, të marsit të vitit 1946, e deri në vitin 1947, sa kishin zgjatur këto lëvizje, luftën e patriotëve dhe atdhetarëve shqiptar të asaj kohe, formimin e “Besëlidhjes Shqiptare” që ishte bërë në fshatin Llapçevë të Komunës së Malishevës, si dhe luftimet në fshatrat e komunave Malishevë, Klinë e Rahovec.
Në këtë akademi, me motivacionin për “Kontributin e dhënë për çlirim dhe bashkim të trojeve shqiptare”, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka ndarë mirënjohje për familjet e luftëtarëve të rënë në betejën e Grapit të Llapçevës, Mustafë Ibishi, Feriz Gashi, Malë Bashota, Xajë Pataçani, Jahë Kabashi dhe Halil Imer Shala.
Në fund, janë bërë homazhe dhe nderime te përmendorja e ngritur për të rënët e kësaj beteje, në fshatin Dush (Sferkë).