Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Përkujtohet dëshmori Artim Jashari

2024/05/06 - 4:24

Kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, së bashku me nënkryetarin e komunës, z. Arian Tahiri, drejtor komunal, drejtues të Shoqatave të Dalura nga Lufta e UÇK-së, të shoqëruar nga familjarë të dëshmorëve, sot kanë nderuar heroin e kombit, Artim Jashari, me rastin e 26 vjetorit të rënies së tij tek sheshi “Artim Jashari” (afër Stacionit të Autobusëve), në Mitrovicë.
Kryetari Hamza, në fjalën e tij vlerësoi lartë veprën dhe sakrificën e Artim Jasharit si model i një të riu me plot ambicie, duke studiuar në dy fakultete paralelisht, nuk u mendua dy herë për t’u rreshtuar krah UÇK-së.
“Në natën e 5 Majit, 26 vite më parë, Artimi që sapo ishte bërë baba i Endritit, u nis ta çonte para misionin, duke rënë në altarin e lirisë, që sot djali i tij dhe gjithë fëmijët, ta gëzojnë shtetin e tyre”, ka shtuar tutje kryetari Hamza.
Në shenjë nderimi dhe kujtimi për veprën heroike të heroit Artim Jashari, u bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh tek lapidari i Artim Jasharit dhe tek varri i tij në varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës.