2011/12/29 - 12:00
Në figurën e dëshmorit Mehë Uka, ngërthehen së bashku luftëtari, veprimtari, aktivisti dhe patrioti i madh i çështjes kombëtare. Kështu u tha të enjten në një akademi përkujtimore kushtuar, këtij dëshmori, në 15-vjetorin e rënies së tij. Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, nën përkujdesjen e të cilit u mbajt akademia në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”, tha se vepra e Mehë Ukës është e pavdekshme. “Ai mbetet një fanar që ndriçon Kosovën, atdheun për të cilin sakrifikoi gjithçka”.
Në akademi që i pranishëm edhe ministri i Arsimit, Ramë Buja, mandej zëvendëskomandanti i FSK-së, gjen. Rrahman Rama, mandej përfaqësues të institucioneve, shoqatave të luftës etj. U shfaq edhe një film dokumentar për dëshmorin Uka.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 15-vjetorit të rënies së tij, kryetari Kastrati me bashkëpunëtorë ka vënë kurora me lule pranë shtatores së Mehë Ukës në Mitrovicë, ndërsa më pas ka vizituar familjen e tij në Bajgorë.