Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Ndriçohet Mitrovica

2011/12/01 - 12:00

Rrugët kryesore të qytetit të Mitrovicës tash e tutje nuk do të jenë të errta. Kjo është mundësuar me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që ka realizuar projektin për ndriçimin efiçientë të rrugëve kryesore. Ky projekt është vlerësuar shumë i rëndësishëm për Mitrovicën, duke pasur parasysh problemet që ka pasur në këtë aspekt. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati e ka çmuar lartë vlerën e këtij projekti i cili u siguron qytetarëve ndriçim kualitativ duke kursyer energjisë dhe njëherit shprehu interesimin për vazhdimin e projekteve të tilla.
Ndërsa drejtori për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli, tha se përveç tjerash, për shkak të problemeve me ndriçim shumë herë kanë ndodhur edhe vjedhje dhe plaçkitje të personave apo dyqaneve të ndryshme në qytet. “Ka qenë kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve, por edhe e policisë që të realizohet një projekt i tillë”.

Në përurimin e këtij projekti me vlerë prej 59 mijë eurosh që siguron një kursim të energjisë për14 mijë euro në vit ka marrë pjesë edhe  zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci dhe përfaqësuesja e Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ, Gabriele Becker.

Koci ka theksuar se projekti për ndriçimin efiçientë të disa rrugëve në Mitrovicë është vetëm një pjesë e një pakoje projektesh që MZHE në bashkëpunim me GIZ dhe komunat përkatëse është duke zhvilluar në Kosovë. “Ne me këtë projekt në aspektin fizik nuk po prodhojmë energji, por po realizojmë një kursim të madh të energjisë për ndriçimin e rrugëve, dhe pa cenuar kualitetin e ndriçimit kemi zvogëluar kërkesën për energji me çka kem rritur sigurinë e furnizimit me energji”, tha Koci.

Ai më tej ka falënderuar GIZ dhe komunat për bashkëpunim dhe ka nënvizuar se në Kosovë janë duke u zhvilluar një sërë projektesh të kësaj fushe  financuara nga Komisioni Evropian siç është zbatimi i masave të efiçiencës në 65 shkolla dhe dy objekte shëndetësore. Sipas tij me këto projekte ndër të tjera po plotësohen edhe detyrimet e që lidhen me afrimin e vendit me BE-në.

Nga ana saj, përfaqësuesja e GIZ, Gabriele Becker ka falënderuar institucionet qendrore dhe lokale për bashkëpunimin e ngushtë në realizimin e projekteve të efiçiencës duke premtuar vazhdimin e ndihmës nga GIZ.