Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Ambasadori norvegjez vizitoi spitalin e Mitrovicës

2011/11/25 - 12:00

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, i shoqëruar nga kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka vizituar të premten spitalin rajonal “Sami Beqiri”, në Mitrovicë, për ndërtimin e të cilit qeveria norvegjeze ka ndarë rreth 3 milionë euro. Të dy palët shprehën kënaqësinë për punën e mirë që është bërë këtu, duke pasur parasysh problemet që kanë ekzistuar pas luftës në sektorin e shëndetësisë në Mitrovicë. Ambasadori norvegjez, tha se është shumë i kënaqur që sheh një objekt të tillë të ndërtuar. “Është vërtet ndjenjë e mirë kur sheh se projekti për të cilin është investuar është i suksesshëm”.

Ai tha se nuk mund të premtoj se qeveria norvegjeze me siguri do të marr përsipër të vazhdoj të investoj edhe për disa punë shtesë që kanë mbetur. Por, theksoi se do të bëj të gjitha përpjekjet që të bind autoritetet në Oslo që të marrin një vendim të tillë, meqë një projekt i filluar duhet të përfundoj.

Në anën tjetër, kryetari Kastrati ka falënderuar ambasadorin norvegjez, duke theksuar se mbështetja për ndërtimin e spitalit ka qenë një prej projekteve më të nevojshme. “Prej pasluftës qytetarët në jug janë përballur me probleme të mëdha sa i përket shërbimeve shëndetësore, për shkak të pamundësisë për të shfrytëzuar spitalin në veri”.

Ai përmendi edhe përkrahjen e madhe nga Ministria e Shëndetësisë për sa i përket kompletimit të spitalit me pajisje. “Përveç objektit spitali është i pajisur me aparate më moderne, ndërsa së fundi është bërë një zgjidhje e mirë edhe për problemin e kuadrove”.

Drejtori i spitalit, Agim Peci, tregoi se tashmë shumica e reparteve janë funksionale në këtë spital. Tha se ka nevojë edhe për rregullimin e hapësirave për repartin e pediatrisë, ambulancës specialiste dhe  morgut.